Greqia ka shënuar këtë të dielë një rekord të ri viktimash nga COVID-19. Plot 71 pacientë kanë ndërruar jetë së fundmi si asnjëherë më parë gjatë 24 orëve në shtetin fqinj.
Po ashtu edhe 1698 raste janë regjistruar, vetëm 25 prej tyre nga portat hyrëse në Greqi. Vendi fqinj i është rikthyer sërish karantinës së plotë duke lejuar daljen vetëm për arsye pune, shëndetësore apo të nevojshme.
Pavarësisht karantinës, shifrat po rriten teksa një vendim i ri do të merret në fund të nëntorit kur dhe mbaron afati i masave.
Ndërkohë Italia ka regjistruar 546 viktima dhe rreth 33 mijë e 979 raste të reja nga COVID-19 në 24 orët e fundit.
17% të të testuarve kanë rezultuar pozitivë nga testimet e 24 orëve të fundit ndërkohë që sërish problem është veriu, me në krye Lombardinë që në 24 orët e fundit ka 8 mijë raste ndjekur nga Piemonte, Campana, Veneto dhe Emilia-Romagna me më pak se 4 mijë.
