Punohet kudo, nga Ulza e bekuar në Zallë Gjoçajn e legjendave, nga Komsia e historisë në Laç-Bruçin e mrekullive. Aq shumë punë janë bërë sa duhen ditë e netë për t’i renditur.
Në Almetaj fadromat e mjetet e rënda për herë të pare që kur është themeluar bashkia po investohet në kanalizimet e ujërave të zeza. Kjo për të mbrojtur lumin e Matit dhe Liqenin e Ulzës nga ndotja, për të shtuar faunën.
Ngjitemi më lart dhe gëzohemi se në Spitalin “Xhavit Mara” ka nisur rikonstruksioni i premtuar dhe i shumëpritur i godinës kryesore, duke garantuar kështu kushte më të mira për pacientët dhe mjekët e këtij spitali.
Balta e pluhuri e kishin bërë të vështirë jetesën në lagjen “Drita”, sidomos në bllokun pranë spitalit. Sa herë kandidatët për deputetë apo kryetarë bashkie takonin zgjedhësit përballeshin me kritika të forta të banorëve. Por fati atyre u buzëqeshi vetëm vitet e fundit. Rehabilitimi i këtij blloku banimi tashmë është një realitet i bukur. Ish godina e ushtrisë është kthyer në “Qendër të Formimit Profesional”, për përgatitjen e kursantëve të fushave të ndryshme. E gjithë lagjja, deri te shkolla “Mustafa Gjestila”, ka prekur ndryshimin. Gjithçka duket hijshëm. Shkolla 9 vjeçare tani është si ato të Tiranës.
Lulishtja që mori jetë rreth viteve ’30-të është kthyer në një mjedis të veçantë atraksioni, pushimi, relaksi. Nuk kishte ndodhur në 90 vite që pushteti vendor të investonte kaq shumë për Parkun “Geraldinë”, për rritjen e sipërfaqeve të gjelbërta, për shtimin e pemëve dekorative, për trotuaret, rrugicat, stolat, pemët, në këtë lulishte dhe në të gjithë qytetin. Kush e kishte menduar Pallatin e Kulturës “Shefqet Doda” kaq të bukur dhe funksional. Investimi i kryer kohët e fundit ka bërë që të rinjtë e Matit të kenë mundësi aftësimi në robotikë, dizajn, etj.
Në sheshin “Kastriotët” është kryer një investim modern, me shumë shije, me një instalacion të rrallë për qytetet tona. Mjedisi para bashkisë Mat është mbreslënës, tundon çdo visitor shqiptar apo të huaj. Unaza e vogël e qytetit ishtë ëndërruar nga qytetarët. Po ashtu projekti i sheshit “Ahmet Zogu” është gati dhe do të jetë mbase po aq i bukur si ai para godinës së bashkisë.
E gjithë lagja “Partizani” është kthyer në kantier ndërtimi. Po “arkivohet” pluhuri dhe balta. Punonjësit e bashkisë vendosin pllaka, mbjellin pemë, ndërtojnë trotuare. Në qendër të lagjes jo vetëm ngjan bukur shkolla e mesme “28 Nëntori”, por apo aty shkollohen në kushte bashkëkohore qindra nxënës të Burrelit dhe zonave të tjera të Matit. Veshja e pallateve, sistemi kapot, i ka gëzuar banorët e pallateve. Apartamentet, sidomos ato që ishin ndërtuar si parafabrikate, tani do të ketë pamje tjetër, sakaq efiçanca e energjisë tani e tutje do të ndryshojë, kuptohet në dobi të qytetarëve.
Teksa ngjitesh në krye të lagjes “Partizani” kupton se bashkia Mat ka treguar kujdes të madh për zhvillimin e sporteve. Stadiumi “Liri Ballabani” dhe aneksi “Dali Farruku” kanë pësuar ndryshime të pamenduara. Po ashtu klasat sportive janë tani një realitet që vetëm vizionarë si kryebashkiaku Agron Malaj mund t’i realizonin. Një pallat i ndërtuar pas 34 vitesh në Burrel, (dhe dy të tjerë që pritet të ngrihen) për familjet e pastreha, tregon kujdesin e vazhdueshëm të bashkisë Mat për qytetarët, për familjet në nevojë.
Aty ku mbaron lagja, një objekt shumë i veçantë të lë pa fjalë. Është depoja kryesore e ujit të pijshëm. Pas një investimi gjigand nga Zallë Gjoçaj dhe në të gjithë rrjetin e brendshëm të qytetit do të garantohet ujë pa ndërprerje për banorët e Burrelit.
I njëjti kujdes për lagjen “Pjetër Budi”, për kopshtet, çerdhet, stolat, pemët, pastrimin, oborret e pallateve, fasadat, gjithçka tjetër. Pallati i Sportit “Ferit Hysa” aktualisht gumëzhin çdo ditë nga sportistët e rinj matjanë.
Rrugët dhe trotuaret e qytetit janë asfaltuar e rregulluar për mrekulli, ndërkohë është treguar vëmendje për ndërtimin dhe menaxhimin e tregjeve, duke mundësuar kështu kushte të mira për tregëtarët e Matit.
Në “Lagja e Re” Burrel ishte e vështirë të kërkoje takim elektoral. Me të drejtë banorët e këtushëm të “suleshin” të gjithë njëherësh. Kërkonin rrugë, ujë, ndriçim, kanalizimet e ujërave të zeza. Të gjitha këto tashmë janë realizuar dhe me siguri të tjera dëshira do të kenë banorët e kësaj lagje dhe pushteti lokal do të punojë fort për zgjidhjen e tyre.
Vetëm miopët nuk e dallojnë Rilindjen e Burrelit dhe gjithë Matit!
Hasan PASHA