Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, në një lidhje direkte për emisionin “Now” në Euronews, nga Novosela e Vlorës, ka folur për situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe përmbytjet në disa zona të vendit.
Ai theksoi se strukturat shtetërore janë në terren me angazhim maksimal, ndërsa strategjia e menaxhimit është ndërtuar mbi mbrojtjen e jetës së qytetarëve, infrastrukturës kritike dhe trajtimin e pasojave.
Vengu nënvizoi se përmbytjet janë pasojë e reshjeve të dendura që kanë përfshirë jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas tij, koordinimi mes forcave ushtarake, emergjencave civile dhe institucioneve vendore ka bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të zonave më problematike, pa pasur nevojë për evakuime masive të banorëve apo të blegtorisë.
Ministri shtoi se vëmendje e veçantë po i kushtohet zonave urbane dhe atyre me akses të vështirë, ku po ndërhyhet me mjete dhe forca inxhinierike për pastrimin e kanaleve, largimin e ujërave dhe rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar.
“Këto vërshime të 48 orëve të fundit, kanë prodhuar ato probleme që kemi konstatuar dhe verifikuar. Strategjia jonë e menaxhimit dhe parandalimit ka qenë e bazuar në tre elemente. E para, përparësi jeta e njerëzve, ndaj kemi pasur angazhim maksimal ushtarak dhe civil pranë zonave të banuara dhe të prekura. Elementi i dytë, mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe mirëmenaxhimi i kaskadës së Drinit, që ka bërë të mundur optimizimin dhe mbajtjen e situatës nën kontroll dhe të qëndrueshme në në zonën e Shkodrës. Elementi i tretë ka të bëjë me trajtimin e pasojave në zonat urbane. Kemi qenë në Durrës me skuadra civile dhe ushtarake kanë ndërhyrë, për të krijuar pastrimet e nevojshme të kanaleve nga bllokimet, vërshimet, prurjet e vazhdueshme dhe tashmë jemi të dedikuar në Shkozet, në Kënetë dhe në zonën e Plazhit për të bërë të mundur heqjen e ujërave nga katet e nëndheshme të pallateve dhe oborret e banesave. Po bëjmë rehabilitimin e zonave me akses të vështirë, pritave lumore të dëmtuara apo urave në zonat rurale me forcat xheniere dhe do të qëndrojmë në terren sidomos në Gjirokastër dhe Delvinë, ku kemi pasur dëme të tilla. Pavarësisht perceptimit nga imazhet e caktuara, reshjet më masive kanë qenë në Korçë dhe Kukës, ku fatmirësisht e kemi situatën nën kontroll dhe nuk kemi as evakuime banorësh, as evakuime në blegtori. Nuk jemi jashtë rrezikut, reshjet vijojnë, është situatë dinamike. Vëmendja është te grykëderdhjet e baseneve dhe lumenjve, siç është Vjosa, ku kemi derdhje nga Fieri dhe Vlora dhe jemi në gadishmëri të reagojmë sa më shpejt nëse përkeqësohet situata.”
Sa i përket pyetjes nga njënga të ftuarit në studio nëse është kërkuar ndihmë nga vendet partnere për situatën e përmbytjeve, ministri Vengu u shpreh se për momentin nuk është parë e arsyeshme.
