Deputeti demokrat Tritan Shehu në nisje të seancës së sotme plenare i ka kërkuar drejtueses së seancës Ermonela Felaj të mbledhë menjëherë konferencën e kryetarëve për shqyrtimin e kërkesës për dëninim e gjenocidit serb në Kosovë.
Ai kërkoi nga grupimi i Enkelejd Alibeajt të mbështesin kërkesën e tyre pasi kanë të njëjtën kërkesë sa i takon gjenocidit serb.
“Kemi një shkelje të rëndë të rregullores në këtë rast që lidhet me element të tjerë brenda saj. Ju kërkoj që sonte të mblidhni konferencën e kryetarëve, Të vendosni çfarë do bëhet me njohjen e gjenocidit serb. Në lidhje më këtë çështje ka paraqitur rezolutë edhe Alibeaj. Nuk ka asgjë të keqe. II kërkoj të gjithë atyre që kanë kërkuar atë rezolutë të protestojnë për këtë edhe zotit Alibeaj. I kërkoj kolegëve të bëjnë këtë gjë dhe të mos rrijnë si fija e barit në heshtje para presionit qeveritar”, tha Shehu.
Ermonela Felaj nga ana tjetër deklaroi se është në tagrin e kryetares Lindita Nikolla të thërrasë konferencën e kryetarëve duke shtuar se aktualisht ajo ndodhet jashtë vendit. “Kjo është tagër e kryetares. Konferencën e thërret kryetari. Kryetarja e kuvendit ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit. Ndodhet në Vatikan”, u shpreh Felaj.
