Shqipëria dhe Kosova gjatë ndeshjeve të fundit nuk kanë mundur të marrin rezultate pozitive. Kombëtarja jonë ka marrë dy barazime kundrejt kundërshtarëve më të dobët dhe më poshtë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Kombëtarja e Edi Rejës barazoi ndaj Lituanisë dhe Kazakistanit pa gola në të dy ndeshjet dhe këto rezultate i kanë kushtuar tre vende të humbura në renditjen e FIFA-s.
Në renditjen e muajit shtator kombëtarja jonë ishte në vendin e 66-të, ndërsa këtë muaj renditet në vendin e 69-të në glob në kuotën e 1345 pikëve, kundrejt 1351 të muajit të kaluar. Edhe Kosovës i ka kushtuar shumë humbja ndaj Mqedonisë së Veriut në renditjen e përgjithshme të kombëtareve. Dardanët ishin në vendin 116 në renditjen e shtatorit, ndërsa kanë zbritur një vend më poshtë në tetor, duke rënë në vendin e 117 në kuotën e 1157 pikëve.
Në ndeshjet e nëntorit të dy ekipet do të jenë të dënuara për të fituar për të bërë të mundur arritjen e qëllimeve të tyre. Kosova ka bërë një fushatë negative në Ligën e Kombeve dhe synon të mos bjerë në Ligën D, ndërsa Shqipërisë i duhen me patjetër fitore ndaj Bjellorusisë dhe Kazakistanit për të synuar kryesimin e grupit të saj. Nëse “korrin” suksese, të dy kombëtaret do të mund të ngjiten edhe në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.