Pas problemeve shëndetësore që kaloi para një jave, kandidati socialist në qarkun e Dibrës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit është shëruar plotësisht dhe është i gatshëm të nisë fushatën elektorale.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’, Damzi falenderon të gjithë qytetarët dibranë, të cilët iu gjendën pranë gjatë kësaj periudhe me probleme shëndetësore.
“Vështirësitë me të cilat njeriu ndeshet gjatë jetës e bëjnë atë të njohë akoma më mirë si veten, po ashtu edhe dashurinë, respektin dhe sinqeritetin e njerëzve që e rrethojnë.
Një mirënjohje të thellë për të gjithë ju, që me interesimin, mbështetjen dhe lutjet tuaja m’u gjendët pranë në një moment kritik në lidhje me shëndetin tim.
Entuziazmi dhe mbështetja juaj qenë jo vetëm një burim motivimi për t’iu kthyer jetës normale, por edhe një shtysë e madhe për të reflektuar mbi përgjegjësitë që kam pranuar për të përfaqësuar interesat e të gjithë banorëve të qarkut Dibër në Kuvendin e Shqipërisë.”, – shkruan Damzi në mesazhin e tij.
Në përgjigje të gjithë kësaj mbështetjeje dhe interesimit të qytetarëve dibranë, Damzi ndan lajmin e mirë se tashmë i ka kaluar të gjitha problemet shëndetësore dhe se do të jetë pranë tyre për të diskutuar rreth interesave të dibranëve dhe për një përfaqësim sa më dinjitoz në legjislativin e ardhshëm.
“I vetëdijshëm se dibranët meritojnë më shumë vëmendje.
Unë do të jem zëri juaj në Kuvendin e Shqipërisë, për të lobuar për projekte madhore, të cilat do të nxisin investimet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe do të rrisin nivelin e mirëqenies së bashkëqytetarëve tanë.”, përfundon Damzi në mesazhin e tij.
Melaim Damzi është kandidati socialist që kandidon për një ven në Kuvendin e Shqipërisë që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Damzi njihet si një nga mjekët me një eksperiencë të gjatë në spitalin rajonal të Dibrës, duke fituar simpatinë e dibranëve për punën dhe përkushtimin që ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve. Gjatë viteve 2015-2019 ai ka qenë edhe Kryetar i Bashkisë Bulqizë.