Nga Andorra në Andorra, sërish në pikën zero. Shqipëria rikthehet në vendin ku 17 vite më parë ndodhi çudia, aty ku skuadra bëri një paraqitje të turpshme dhe humbja 2-0 i kushtoi vendin e trajnerit Sulejman Demollarit. Ishte nisja e një epoke të re për Armand Dukën, i cili largoi trajnerin e asaj kohe për t’ia besuar Kombëtaren shqiptare italianit Dosena. Kuqezinjtë do të luajnë sërish aty, për ta nisur nga e para rrugëtimin drejt “Europianit 2020”.
Ervin Bulku ndoshta e mban mend mirë, pasi u fut si zëvendësues në atë ndeshje. Nesër do të jetë trajner për t’i rikthyer kuqezinjtë në shinat e duhura pas një epoke të errët me Kristian Panuçin. Si për rastësi, kundërshtari është i njëjti. 17 vite më parë na turpëroi, ndërsa nesër mund ta bëjmë ne pikën e kthesës.
Sigurisht që ekziston mundësia që historia të përsëritet, sepse në futbollin e ditëve të sotme është bërë e vështirë të mundësh ekipet e vogla. Të gjithë shpresojnë që të ndodhë e kundërta, por duhen kryqëzuar gishtat që Shqipëria të mos i japë lamtumirën Europianit, ende pa nisur mirë…
ÇFARË NDODHI- Raportet ishin krisur me kohë mes trajnerit të asaj skuadre Sulejman Demollari dhe presidentit Armand Duka, i cili gjithsesi vendosi t’i jepte besim pasi u zgjodh në krye të FSHF-së. Por ajo humbje rezultoi fatale për trajnerin e asaj kohe, edhe pse ishte thjesht një ndeshje miqësore. Me humbjen 2-0 ndaj Andorrës, Kombëtarja jonë shkroi faqen më të zezë të historisë së saj. Një kombëtare e shpërfytyruar i dha mundësinë vendit prej 77 mijë banorësh që të festonte një nga ngjarjet më të mëdha të asaj kohe, një fitore në arenën ndërkombëtare që mungonte prej kohësh.
Andorra e vogël, me madhësi dhe densitet banorësh sa një lagje e Tiranës, arriti të fitonte krejtësisht pastër, me nga një gol në çdo pjesë. Të nesërmen, Duka duke ushtruar pushtetin që i jep funksioni, shkarkoi Demollarin dhe tërë stafin e tij, si përgjegjës për këtë humbje të turpshme. Vendin e tij do ta zinte italiani Dosena. Demollari u shpreh i befasuar për shkarkimin e tij dhe nuk e besoi teksa i njoftuan se nuk do të ishte më trajner i Kombëtares shqiptare.
