Buxheti i shtetit shqiptar nuk ka përfituar ende asnjë qindarkë nga Konferenca e Donatorëve edhe pse ky aktivitet për mbledhjen e fondeve për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit u paraqit si një sukses ndërkombëtar.
Kryeministri, Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Durrësit tha se pavarësisht premtimit, ndihma e dhënë ka qenë zero.
Rama: Bota, lekët e veta i menaxhon vet, nuk na kanë ardhur lekët në buxhetin e shtetit shqiptar.
Në përgjigje të interesit të biznesit, Rama tha se nuk ka plane për një paketë ndihmë për periudhën e pandemisë.
Rama: Për momentin nuk kemi asgjë për të dhënë për ju më.
Rama konfirmoi se ka dyshime të forta që në vendin tonë kanë hyrë variante të tjera të Covid 19, më agresivë.
Rama: Ajo që është e rëndësishme, është të respektojmë masat pasi kemi dyshime shumë të forta që ka variante të reja në vendin tonë sidomos ajo e Afrikës së Jugut, por dhe ai britanik. Këto variante rrisin shumë më tepër transmetueshmërinë dhe ai i afrikan rrit 30 % agresivitetin është më vdekjeprurës.
Kreu i qeverisë njoftoi se është gati nisja e punës për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës.
Rama: Hekurudha Tiranë-Durrës është gati për të filluar nga puna, sepse është lidhur kontrata. Presim të na miratohet fondi për hekurudhën Durrës-Hani i Hotit që përsëri lidhet me porti. Plus hekurudha Durrës-Prishtinë dhe më tutje. Këtij porti mund t’i ndërtosh hekurudha afër, po nuk është në gjendje të jetë konkurrente me portet përballë.
Pasi u pyet për rritjen e pensioneve, Rama u përgjigj duke ironizuar programin e PD-së.
Rama: T’ja marr njëherë votën, ti them tani po. 5 thotë ai çdo vit, po pse 5, e bëjmë 10. Pastaj ka dy rrugë, ose të gënjej dhe të bëhesh si tramvaji i Tiranës që s’u bë kurrë, ose do të shkatërroj shtetin.
Kryeministri foli edhe për portin e ri që pritet të ndërtohet në Durrës, duke e cilësuar si një rrugë të hapur për shumë investime.