Gjatë një takimi këtë të hënë me banorët në Shijak, kryeministri Edi Rama u premton qytetarëve që u prekën nga tërmeti, se do të marrin banesat dhe dokumentacionit pa paguar asgjë.
Teksa fliste para qytetarëve ku brenda nëntorit do të akomodohen 637 familje, Rama akuzoi mediat se ia kanë bërë gjakun helm me ata që thonin se shtëpitë nuk do t’i merrnin asnjëherë dhe se qeveria po i gënjente. Rama ka konfirmuar se kryetari aktual Elton Arbana do të garojë në siglën e PS-së, që të vijojë të jetë kryetar i bashkisë së Shijakut edhe pas zgjedhjeve vendore të 14 majit.
“Kërcet rrena si në harados. Nuk guxon të hapësh televizorin apo portalin se të mbysin në rrena e ta bëjnë gjakun helm. Rrenë që do dhjetëfishohen gjobat për biznesin e vogël. Ata janë motori më i rëndësishëm i gjithë rrjetit të ekonomisë sonë. Gjobat do të rriten deri në 10-fish për të mëdhenjtë që abuzojnë ndërsa për të vegjlit do vazhdojë taksa zero, mbështetja maksimale.
Rrena e shpërndarë njësoj siç mund të dalë sot që kryetari i bashkisë më ka lënë pa shtëpi. I gëzofshi shtëpitë, do i merrni me tapi dhe nuk do paguani asnjë kokërr leku. Jua bënë gjakun helm se thonin do jua shesin shtëpitë, nuk do jua japin fare. Është e juaja, ta gëzoni, mund ta shisni apo ta mbani. Bëni çfarë të doni”, tha Rama.