Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se këtë fundjavë, në 12 qarqet e vendit, do të zhvillohet procesi në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Asamblesë Kombëtare që do të zgjidhen nga Kongresi Zgjedhor i PS më 29 Shkurt.
Me një shënim në facebook, Balla shkruan se propozimet e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare bëhen nga 1510 delegatët e Kongresit të PS.
“Propozimi dhe votimi i kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste garanton përfaqësimin e barabartë të gjithë territorit të vendit si dhe të bashkë-atdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë nëpër botë”, shkruan Balla mes të tjerash.
Postimi i plotë:
Teksa procesi i riorganizimit të Partisë Socialiste vijon, në të 12 qarqet e vendit po zhvillohet këtë fundjavë një proçes demokratik dhe transparent në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Asamblesë Kombëtare që do të zgjidhen nga Kongresi Zgjedhor i PS më 29 Shkurt.
Propozimet e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare bëhen nga 1510 delegatët e Kongresit të PS, duke respektuar parimet barazisë gjinore, meritokracisë profesionale dhe politike, integritetit moral e ligjor si dhe me vëmendje të veçantë promovimi i të rinjve, si qasje e përhershme e Partisë Socialiste.
Norma e përfaqësimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS që zgjidhen nga Kongresi është një anëtar i AK për 800 anëtarë partie. Propozimi dhe votimi i kandidaturavë për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste garanton përfaqësimin e barabartë të gjithë territorit të vendit si dhe të bashkë-atdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë nëpër botë.