Ndërsa Europa duket se po e sposton shikimin nga lindja, Mbrojtja italiane rilançon strategjinë e re për Mesdheun, duke theksuar edhe një herë akoma se cila është zona me interes strategjik prioritar për Romën.
Pak javë më parë, ministri i Mbrojtjes Lorenzo Guerini ka paraqitur tri direktiva ministrore që fiksojnë prioritetet e dikasterit për 3 vjeçarin e ardhshëm. Bëhet fjalë për Direktivën e Politikës Ushtarake Kombëtare, e Aktit të Drejtimit për Fillimin e Ciklit të Interguar të Programimit Strategjik dhe Formimin e Bilancit të Parashikimit dhe të Strategjisë së Sigurisë dhe Mbrojtjes për Mesdheun.
Botimi i dokumentit nuk vjen papritur. Ministri Guerini e kishte njoftuar tashmë nisjen e një procesi rishikimi të Strategjisë së Mbrojtjes për Mesdheun me rastin e prezantimit të linjave programatike të mandatit të tij të dytë.
Duhet saktësuar se kur Mbrojtja italiane flet për Mesdhe, ajo i referohet një zone shumë më të gjerë se ajo që përfshin vendet e lagura nga ky det. Një zonë e tillë, që ministria i përkufizon tradicionalisht “Mesdheu i Zgjeruar”, shkon nga Lindja e Mesme dhe Gjiri Arabik deri në Gjirin e Guinesë, duke përshkuar të gjithë rripin e sub – Saharasë. Kjo zonë prej disa vitesh është përcaktuar si zonë me interes strategjik kryesor për Romën. Në këtë kuadrant, Roma duhet të mbrojë interesa kombëtare me rëndësi ekstreme. Mesdheu përfaqëson një prej rrugëve të kalimit kryesore të fluksit të mallrave botërore, me 20% të trafikut detar që kalon nëpër këto ujëra. Pastaj, Mesdheu është themelor për Italinë pasi vendi importon nga vendet e pranishme në këtë zonë një pjesë të madhe të nevojës energjitike të saj – sidomos nga Iraku dhe Algjeria. Nga Mesdheu vijnë edhe sfidat më të mëdha për sigurinë kombëtare të Italisë. Sot ky kuadrat karakterizohet nga prania e situatave të shumta jostabiliteti të përhapur, si lufta e zgjatur që prek Libinë prej vitesh, fenomeni i piraterisë në Gjirin e Guinesë, paqëndrueshmëria jemenase dhe refleksionet e saj ndaj Bab El Mandeb. Për më tepër, gjatë viteve të fundit, siç pohohet nga ministria gjatë prezantimit të Linjave Programatike, “Mesdheu i sotëm nuk është më i njëjti”, motiv për të cilin përshtatja e Strategjisë së Mbrojtjes për Mesdheun ështe një kalim i nevojshëm dhe jo i shtyshëm.
Elementi kryesor i risisë konsiston në veprimin gjithnjë e më kërcënues të disa fuqive të mëdha, si Rusia dhe Kina, gjithnjë e më shumë të pranishme në Afrikë, por edhe i fuqive me kalibër më të ulët, si Turqia, jo e përmendur në mënyrë eksplicite. Ato përdorin taktika që futen në kategorinë e së ashtuquajturës “luftë hibride”, duke ju mundësuar këtyre aktorëve të veprojnë në një lloj zone të hirtë, që u lejon t’i çojnë rivalitetet në limitet e përplasjes së hapur. Paqëndrueshmëria e përhapur në Mesdheun e Zgjeruar vë në lëvizje një seri dinamikash jashtëzakonisht kërcënuese për Romën.
Objektivat e Romës në Mesdheun e Zgjeruar
Strategjia përcakton dy objektiva të mëdha të Mbrojtjes në Mesdheun e Zgjeruar. I pari ka të bëjë me aleancat brenda të cilave ka lëvizur tradicionalisht politika e Mbrojtjes italiane, sidomos NATO dhe Bashkimin Europian. Siç përcaktohet në mënyrë eksplicite nga ministri në hapje të dokumentit, objektivi i Romës është të promovohet një aftësi leximi e krizave që i jep vlerë Jugut dhe i jep peshë më të madhe këtij kuadrati në refleksionet strategjine si në aspektin e NATO, ashtu edhe të Bashkimit Europian. Për të promovuar vizionin kombëtar në Europë, Roma duet të vazhdojë të japë kontributin e saj në forcimin e Politikës të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Përbashkët, duke promovuar në këtë mënyrë përpjekjet e Bashkimit Europian në arritjen e një autonomie strategjike më të madhe.
Objektivi i dytë i vendosur nga Mbrojtja në Strategji është ai i marrjes së një roli më të rëndësishëm dhe të matur për stabilitetin e zonës. Mbrojtja do të duhet të dijë t’i shfrytëzojë më mirë iniciativat e shumta që futen në aspektin e “diplomacisë ushtarake” të nisura nga Roma në vitet e kaluara. Dimensioni i dytë brenda të cilat kristalizohet objektivi italian për ta rritur rëndësinë e saj në Mesdheun e Zgjeruar është pastërtisht operative. Roma duhet t’i shoqërojë aktivitetit të saj të diplomacisë ushtarake aftësinë e ndërhyrjes kur dhe ku është e nevojshme në prani të “anomalive” për të kontribuar në stabilitetin e rajonit. Që të mund ta luajë këtë funksion me efikasitet, forcat e armatosura italiane duhet të disponojnë kapacitete ushtarake të përshtatshme dhe të superioritetit informativ që i mundosojnë të veprojë menjëherë dhe me mjetet e duhura.
Për këtë motiv, prania e ushtarakëve italianë është e nevojshme për të siguruar prani, survejim, vigjilencë dhe shkurajim në zonat me interes. Vëmendje e veçantë do të duhet t’u kushtojet dy zonave me interesave të veçanta për Romën, domethënë Kanalin e Sicilisë, check point kryesor e Mesdheut, dhe zonat e ndodhura në Zonën Ekonomike Ekskluzive, para pak kohe e miratuar nga parlamenti (Ligji 91/2021). Në këtë zona ndërhyrëse operacionet do të jenë kryesisht multidominim. Kjo nënkupton se kryerja e tyre do të kërkojë një qasje që do të duhet të kërkojë dhe përmirësojë kuptimin dhe përdorimin e kapaciteteve të ndryshme, si ushtarake, ashtu edhe civile, për të zhvilluar njëkohësisht më shumë aksione konvergjente dhe prodhuar më shumë efekte.
Pengesat për t’u tejkaluar
Strategjia nuk synon t’i lançojë asnjë veçanti inciativës së re në Mesdheun e Zgjeruar. Ajo propozon t’i përshtatet Strategjisë së mëparshme duke i dhënë “një dimension ushtarak më të gjerë”, duke kapitalizuar operacionet tashmë në zhvillim dhe duke promovuar një qasje sistemike dhe sinergjike midis Mbrojtjes dhe dikastereve të tjera të interesuara në mënyrë të tillë që të arrijë objektivat e ravijëzuara nga ministri. Në muajt e ardhshëm, Mbrojtja do të miratojë një direktivë operative që të përkufizojë instrumentat e nevojshëm për arritjen e këtyre objektivave. Në pritje të njohjes së kërkesave të nivelit strategjiko – ushtarak – shefi i Shtamadhorisë së Mbrojtjes – është e mundur të identifikohen ato që sipas autorit janë pengesat kryesore ndaj objektivave të fiksuar në Strategji.
Mund të dallohen dy tipologji kryesore pengesash, një që përfshin ato me natyrë ekzogjene të Mbrojtjes, një tjetër ato me natyrë endogjene. Ato që i përkasin kategorisë së parë janë në thelb tre. E para është vëmendja e re e drejtuar NATO dhe Bashkimit Europian drejt anës lindore të Europës, e shkaktuar nga sulmi rus ndaj Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO ka njoftuar tashmë dislokimin e 4 battlegroup të reja në anën lindore, duke konfirmuar rëndësinë e re të këtij fronti. Nëse Italia ka pasur vështirësi në vitet e fundit të promovojë rëndësinë e anës jugore në gjirin e të dyja këtyre organizatave, sidomos në NATO, ngjarjet e fundit në Ukrainë e bëjnë përpjekjen e Romës akoma edhe më të vështirë. Por ndërkaq nëse nga njëra anë lufta e tërheq vëmendjen e NATO dhe të shumë vendeve europiane, nga ana tjetër ajo po ka një impakt të fortë negativ mbi stabilitetin e këtyre zonave, sidomos për shkak të reperkusioneve mbi tregëtinë botërore e mungesës së tarifave të mjaftueshme ushqimore. Lufta u ka bërë të qartë shumë vendeve të kontinentit nevojën e diversifikimit të burimeve të tyre të furnizimit energjitik, gjë që mund të çojë në tensione të reja në Mesdhe. Pengesa e dytë përfaqësohet nga vështirësitë që ngadalësojnë rrugëtimin e Bashkimit Europian drejt një autonomie më të madhe strategjike. Këto konsistojnë sidomos në divergjencën e perceptimit të kërcënimeve të vendeve europiane dhe në deficitet ushtarake e forcave të armatosura të tyre. Për të siguruar një kapacitet ndërhyrjeje të përshtatshëm, Roma ka nevojë për mbështetjen e vendeve të tjera europiane. Në vitet e fundit, paaftësia e këtyre vendeve në kryerjen e operacioneve ushtarake në Afrikë, edhe me dimensione të reduktuara, është bërë e qartë. Një shembull i qartë është pasur në luftën libiane të 2011, kur europianët, në veçanti francezët, kuptuan se pa ndihmën e aseteve amerikane nuk do të mund ta vazhdonin fushatën në Libi. Një shembull i dytë është më i vonshëm dhe është operacioni “Barkhane” në Mali. Në këtë mision Parisi ka hasur vështirësi.
Tipologjia e dytë e pengesave është me karakter endogjen. Bëhet fjalë në këtë rast për gjithë ato probleme që i pengojnë forcat e armatosura italiane të zhvillojnë detyrat e përcaktuara në Strategji. Në listimin e masave që forcat e armatosura do të duhej të adoptojnë për ta konkretizuar sa paraqitet në dokument, Strategjia propozon të “promovojë zhvillimin teknologjik të instrumentit ushtarak… me qëllim që Mbrojtja të ruajë aftësi të rëndësishme dhe të shërbejë si tërheqës për sektorin prodhues kombëtar”. Duke gjykuar nga bilancet e fundit të Mbrojtjes, përpjekja e Ministrisë në këtë kuptim duket se është në linjë me çka deklarohet në këtë pikë, duke qenë se gjatë viteve të fundit shpenzimet për investime janë rritur ndjeshëm.
Këto janë të sintetizueshme në tri pika. E para lështë mangësia e fondeve, sidomos për ushtrinë. Siç deklarohet në Dokumentin Porgramatik Shumëvjeçar 2020 – 2022, “sektori ushtrues i funksionit mbrojtës përfaqëson një prej kritikave kryesore të bilancit të dikasterit”. Për shembull, në 2021, fondet për ushtrimin e ushtrisë italiane kanë qenë të barabrata me 6% të totalit të buxhetit të kushtuar forcës së armatosur, një përqindje jashtëzakonisht e ulët, që arrin të kompensohet vetëm falë fondeve të vëna në dispozicion nga dikastere të tjera për financimin e impenjimeve në atdhe dhe jashtë tij (rreth 410 milion shtesë). Shifra e vënë në dispozicion për impenjimet në atdhe, për më tepër – e barabartë me 58 milion – është e drejtuar të financojë operacionin “Rrugë të Sigurta”, domethënë një operacion mbështetës ndaj forcave të policisë që pengon stërvitjen e specializuar të ushtarakëve. Kjo mungesë është jashtëzakonisht e rëndë, pasi pa fonde për ushtrinë forcat e armatosura nuk mund të stërviten dhe nuk mund të stërvisin – mjetet nuk mund t’i nënshtrohen mirëmbajtjes dhe ushtarakët humbasin aftësinë e përdorimit të pajisjeve të tyre. Rritja e nivelit teknologjik për më tepër bën që mjetet dhe sistemet e armës në dispozicion të forcave të armatosura të jenë gjithnjë e më komplekse.
Problemi i dytë që forcat e armatosura duhet të zgjidhin është mosha e personelit. Në vitin 2020, mosha mesatare e ushtrisë, forcës së armatosur që duke parë përpjekjen psikofizike të kërkuar, duhet të jetë më e reja, ishte e barabartë me 38 vjeç. Kjo e dhënë është shumë e rëndë, pasi personeli i moshuar ka vështirësi të mbështesë kushtet psiko – fizike ekstreme që paraqiten në operacione. Veç kësaj, ushtarakët e kësaj moshe kanë përgjithësisht fëmijë dhe prindër në ngarkim, kështu që janë më të vështirë për t’u rreshtuar në operacione, sidomos nëse janë afatgjatë.
Problemi i tretë është hiperaktivizmi i instrumentit ushtarak italian, edhe një herë akoma, sidomos i Ushtrisë. Në 2019, gjenerali Farina, atëherë Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, ka deklaruar në parlament se numri total I efektivit ishte 40000 – 45000 njësi – 11 brigada me nga 4500 – 5000 njerëz, siç është deklaruar nga gjenerali Di Stasio në parlament – rreth 22000 njerëz u qenë kushtuar “Rrugëve të Sigurta”. 3300 ushtarakë janë me misione jashtë vendit. Me një personel kaq të moshuar dhe me kaq pak fonde për stërvitje, përdorimi i njerëzve në operacione me një frekuencë kaq të lartë ndikon mbi cilësinë e strvitjes dhe ul nivelin e motivimit dhe kënaqësisë së personelit, me pasoja negative për efikasitetin e instrumentit ushtarak.
(Nga Geopoliticus)
Përgatiti: Armin Tirana