Marina tajlandeze ka raportuar se 31 marinarë janë zhdukur ditën e djeshme, pasi një anije luftarake me rreth 100 anëtarë u përmbyt gjatë një stuhie në Gjirin e Tajlandës.
Autoritet tajlandeze raportuan se 75 marinarë arrirën të shpëtoheshin, ndërsa 31 prej tyre rezultojnë të humbur. Një zëdhënës i Marinës, Admiral Pogkrong Monthardpalin ka thënë për BBC se kërkimet do të vijojnë.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e forcës sonë detare, veçanërisht me një anije që është ende në përdorim aktiv”, tha ai.
Ekipet e kërkimit punuan gjatë natës për të gjetur të mbijetuarit, me operacionin që vazhdoi edhe sot me ndihmën e forcave ajrore.
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, shihen marinarët e shpëtuar duke marrë ndihmë mjekësore, ndërsa njëri prej tyre është shprehur se ka qëndruar në det për 3 orë.
“Dallgët ishin mjaft të larta, rreth tre metra kur anija u mbyt. Vesha jelekun e shpëtimit dhe u hodha. Kam notuar për tre orë”, ka deklaruar marinari për mediat vendase.
