Nga Xhevdet Shehu
Vitet e fundit dhe deri në fund të jetës Nexhmije Hoxha pati një komunikim të rregullt dhe korrekt me autorin e këtyre radhëve dhe disa prej takimeve me të, unë i kam publikuar këtu në DITA.
Vetëm një muaj para se të ndahej nga jeta ajo arriti të botonte “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”. Është një histori mbi 70-vjeçare në rreth 500 faqe. Enver Hoxha është personazhi kryesor bashkë me ata në krah të tij në të përpjetat e historisë shqiptare, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Ramiz Alia.
Nexhmije Hoxha veproi si asnjë ish-udhëheqës tjetër komunist i kohës. Ia ka kaluar edhe Ramiz Alisë, pasardhësit të Enverit. Pa le më ish-udhëheqësve të tjerë komunistë, ish-anëtarëve të Byrosë Politike që jo vetëm nuk shkruan asnjë rresht, por edhe që ikën nga kjo botë sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Unë hyj tek ata që thonë: shumë mirë që la pas një dëshmi autentike. Nuk mund të vihet në dyshim bindja e saj se shoqëria komuniste ishte dhe do të mbetet më e mira jo vetëm për shqiptarët, por edhe për mbarë shoqërinë njerëzore. Indoktrinimi komunist ka një dozë të justifikueshme në historinë që përshkruan autorja në librin e saj që do ta konsideroja testamentar.
Por, në zhvillimet bashkëkohore të pas kolapsit të regjimeve komuniste, argumentet janë më së shumti në favor të autores. Biseda e mëposhtme është bërë këto ditë me djalin e Enver dhe Nexhmije Hoxhës, Ilirin.
Sot Nexhmije Hoxha do të mbushte plot 100 vite.
Pyetje – Z.Ilir Hoxha, do ketë lexues që do e kontestojnë pse duhet të përkujtohet Nexhmije Hoxha në këtë përvjetor të ditëlindjes…
Ilir Hoxha – Në radhë të parë falënderojmë gazetën dhe ju personalisht, Xhevdet. Nexhmije Hoxha ishte një lexuese e rregullt e DITA-s. Madje ajo ruante një koleksion me numra të përzgjedhur të gazetës suaj, por për fat të keq ky koleksion humbi bashkë me materialet e tjera, ditën që na nxorën me dhunë nga shtëpia në qershor 2020.
Data e 100 vjetorit të lindjes së saj, për familjen tonë është një ditë e shënuar, e mbushur me kujtime e plot emocione. Është një shekull jetë dhe histori. Më mendje e zemër dua ta kujtoj nënën time në ditët e saj të lumtura pranë Enverit, e rrethuar nga fëmijët e saj dhe nga nipërit e mbesat, por kujtimet e mia i trazojnë vitet e vështira pas ‘90-s, të cilat kanë lënë mbresa të pashlyera tek unë. Gjithsesi jam i qetë në ndërgjegje, që nënës time i qëndrova pranë deri në fund, duke u përpjekur që t’ia lehtësoja sa më shumë vështirësitë.
Jeta e saj zgjati deri në prag të 100 vjetorit. Ajo ishte një grua që jo vetëm që jetoi gjatë, por gjithë jeta e saj, nga rinia e hershme e deri sa mbylli sytë, ishte e mbushur me një veprimtari të frytshme politike dhe shoqërore, duke qëndruar e palëkundur në idealin e saj.
Duke ju kthyer pyetjes tuaj pse e vlen të përkujtohet Nexhmije Hoxha në këtë 100 vjetor, besoj se duke treguar veprimtarinë e Nexhmije Hoxhës gjatë luftës Nac-çlirimtare, pyetja juaj do marrë përgjigjen që i takon. Do të mbahet mënd si një revolucionare dhe antifashiste e guximshme që gjithë rininë e saj e dha për Shqipërinë.
Pyetje – Po, zonja Hoxha ka qenë një antifashiste e orëve të para. Më pas u bë bashkëshorte e Enver Hoxhës…
I.H.– Ishin hapat e para për konsolidimin e një pushteti popullor dhe ndërtimin e Shqipërisë. Nexhmije Hoxha u përfshi tërësisht në këtë lufte të re, ndonëse ishte me shëndet të dobët, me një anemi ekstreme, si pasojë e jetës së varfër në familje dhe të kequshqyerit gjatë Luftës, si të gjithë partizanët.
Siç e thotë edhe në kujtimet e saj: “Enver Hoxha, më ndihmoi jo vetëm të fitoja pjekurinë politike dhe të ngre nivelin tim ideo-kulturor, por edhe më dha mundësi të marr pjesë në jetën politike… Duke qenë një jetë të tërë pranë Enverit, unë u bëra kjo që jam, një luftëtare për të kontribuar sa më shumë në dobi të popullit dhe të vendit tim”
I përmenda meritat dhe kontributin e saj në luftë dhe në punë për t’i dhënë një përgjigje të plotë pyetjes suaj dhe për të treguar se ajo i kishte të vëmjaftueshme aftësitë dhe meritat.
Pyetje- Përveçse bashkëshorte e Enver Hoxhës, ka qenë dhe një bashkëpunëtore e ngushtë e tij gjatë 40 viteve që në të vërtetë ishin diktaturë…
I.H.– Është e vërtetë që ishim në diktaturën e proletariatit e sanksionuar në kushtetutën e kohës, por nuk duhet harruar që ishim dhe në demokracinë popullore të sanksionuar në kushtetutë që do të thoshte : “sundimi i shumicës ndaj pakicës”, e kundërta e së sotmes.
Në çështjet parimore, Enver Hoxha ka qenë i prerë. Ai ishte një burrë shteti që merrte vendimet e duhura në kohën e duhur për të mirën e Shqipërisë dhe popullit të tij. Ai asnjëherë problemet e punës nuk i diskutonte në familje dhe aq më tepër ato të organeve të drejtpërdrejta të diktaturës si Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit apo Ministria e Mbrojtjes.
Nexhmija nuk bënte pjesë në këto organe dhe rrjedhimisht nuk kishte se si të ndikonte. Ajo ka bërë punën e saj në funksionet e ngarkuara nga Partia dhe Shteti, të cilat janë të njohura që i kam përmendur dhe në këtë intervistë.
Ndërsa si bashkëshorte e Enver Hoxhës, po, ka bërë maksimumin për shëndetin e tij që Ai të ndjehej sa më mirë nga problemet stresuese që kishte. Këto i bënte duke mos lënë asnjë çast punët e saj por e bënte në dëm të shëndetit të saj. I jemi gjithmonë mirënjohës për ç’ka bëri për babain dhe i kemi ndenjur pranë në ditët e vështira, si unë dhe Pranvera e Teuta… Marrë nga gazeta Dita