Në pjesën e tretë të intervistës së gjatë me Fatmir Xhafaj, gazeta “DITA” sjell qëndrimin e këtij të fundit sa i përket lakimit të emrit të vëllait të tij Agron Xhafaj në inskenimin e çështjes “Babale”.
I pyetur lidhur me akuzat e herë pas hershme të “selisë blu” në adresë të së vëllait, deputeti socialist rrëfen në mënyrë shteruese se këto akuza riprodhohen vazhdimisht prej vitesh duke ju referuar një ngjarje të hershme me autoritetet italiane.
Më tej, Xhafaj pasqyron në formë të plotë të gjithë profilin e të vëllait si dhe aktivitetin e tij familjar në qytetin bregdetar të Vlorës.
Ndërkohë, ish ministri i Brendshëm tregon edhe për ikjen e vëllait të tij drejt Italisë.
Zoti Xhafaj ju përgjigjet disa pyetjeve mbi disa akuza të këtyre ditëve adresuar ndaj tij lidhur me këtë çështje.
Së fundmi, pas publikimeve të tabulateve telefonike të zbardhura mes Babales, Fredi Alizotit dhe funksionarëve të lartë të PD-së ku flisnin për inskenimin e kësaj çështje, kryedemokrati Lulzim Basha, ka marrë masa për të mbrojtur imazhin e ish deputetit të dënuar Ervin Salianji, duke i adresuar një letër ambasadores së Shteteve të Bashkuara bashkë me materialet e servirura nga “dëshmitari X” si referencë.
Z.Xhafaj, a ka diçka të vërtetë në akuzat e PD-së në adresë të vëllait tuaj?
Në gjithë çfarë është thënë në këto vite, në lidhje me raportet e vëllait tim me ligjin ka vetëm një fakt të vërtetë. Vëllai im ka qenë në shkelje të ligjit vetëm një herë. Në vitin 2002, kur ai ishte në një moshë fare të re u ndalua nga autoritetet e drejtësisë italiane për një vepër penale që lidhej me posedimin e narkotikëve. Autoritetet e drejtësisë italiane e mbajtën atë të ndaluar për jo më shumë se një muaj dhe urdhëruan lirimin e tij. Gjithësesi procesi penal atje vazhdoi dhe në përfundim të këtij procesi në vitin 2012 vëllait tim i mbeti dënimi prej 4 vitesh e 1 muaj për veprën penale të kryer në vitin 2002.
Nga viti 2002 e deri në maj të 2018, im vëlla ka jetuar, është shkolluar dhe ka punuar në qytetin e Vlorës. Ka lëvizur lirisht në territorin e vendit dhe jashtë tij, pavarësisht se cilat qeveri kanë drejtuar vendin këto vite. Veçanërisht gjatë periudhës së qeverisjes së PD-së, jeta dhe aktiviteti i familjarëve të mi ka qenë në një vëzhgim të plotë nga strukturat partiake e shtetërore të kohës. Pavarësisht se kanë pasur infrastukturën e duhur dhe e kanë mbajtur familjen time nën lupë, kundërshtarët e mi politikë nuk kanë gjetur asnjë provë që mund të implikojë vëllanë tim në shkelje të ligjit. Dhe jo vetëm të atij penal.
Por Partia Demokratike në deklarimet e shumta të saj, ka ngritur akuzën publike se Agron Xhafaj drejtonte trafikun e drogës në qytetin e Vlorës edhe me mbështetjen tuaj…
Është komplet një mashtrim dhe shpifje e ulët ajo që thuhet në lidhje me një përfshirje të mundshme të vëllait tim në këtë veprimtari. Prej vitit 2002 vëllai im ka jetuar në Shqipëri dhe është një ndër qytetarët e shumtë të këtij vendi që nuk ka asnjë problem me ligjin gjatë gjithë kësaj periudhe prej 16 vjetësh. ASNJË! Sot e kësaj dite, PD-ja nuk ka demostruar asnjë provë qoftë edhe të tërthortë e cila të provonte sadopak këto akuza. PD-ja gjithë këtë akuzë shumë të rëndë e mbështet as më shumë dhe as më pak vetëm në audio-regjistrimin e rremë, të bërë publik në datën 14 maj 2018.
…po atëherë?
PD-ja pas vitit 2002, ka qenë 8 vite në pushtet (2005 – 2013). Unë kam qenë një kundërshtar politik konseguent i asaj qeverisjeje. Si rrjedhojë e kësaj kundërshtie, PD-ja dhe lidershipi i komanduar i saj, kanë adresuar kundrejt meje sulme personale nga më të egrat, përfshi edhe sulme kundrejt familjarëve të mi. Çështja e vëllait tim të penalizuar në Itali është bërë publike prej meje që në vitin 2002.
PD-ja e ka marrë dhe e ka risjellë këtë çështje si pjesë të akuzave kundrejt meje në shumë raste të tjera edhe gjatë kohës kur ajo ishte vetë në pushtet dhe ministra të Brendshëm e të Drejtësisë kanë qenë përfaqësues të lartë politik të PD-së përfshi edhe këta që vazhdojnë e llomotosin lart e poshtë si: Basha, Nishani, Noka, Alibeaj, Bardhi, etj, Gjithashtu edhe drejtues policie në Vlorë ishin pikërisht disa nga këta që sillen sot si “ekspertë” politik të luftës kundër krimit dhe një pjesë shërbyen edhe si mitingashë protestash poshtë Ministrisë së Brendshme.
Pyetja logjike është si ka mundësi që këtë Agronin, të akuzuar prej tyre se qenka një nga “kokat” e aktivitetit të trafikut në Vlorë, i cili ishte vëllai i një kundërshtari të ashpër politik të PD-së, kjo e fundit në zotërim të të gjitha pushteteve kur ishte në qeveri, nuk e identifikoi dot me një provë apo fakt konkret sado periferik jo më si trafikant, se kjo është e qartë që është absurditet bosh i retorikës së një force politike të degraduar, por edhe me një shkelje ligji të çfarëdoshme?! Si ka mundësi që gjatë qeverisjes së saj PD-ja nuk mundi të gjente qoftë edhe indirekt një provë të implikimit të tim vëllai jo vetëm në veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës, por qoftë edhe në një paligjshmëri tjetër çfarëdo?!
E nga ana tjetër është e çuditshme se si “provën” e cila tregon se im vëlla na qenka i përfshirë në aktivitet trafiku që prej 2002 e këtej siç këta përpiqen të akuzojnë, provë të cilën PD-ja nuk pati mundësinë ta gjente kur kishte pushtetin (2005 – 2013), na e “zbuloi” ky deliranti Salianji pikërisht në 2018 dhe me dëshminë e një personazhi si Babale (!)
…si ta kuptojmë këtë?
Po ju jap thjesht një tjetër arsyetim dhe argumentat përkatës për ta bërë më të qartë atë çka thashë. Në vitet e “kanabizimit” për kë nuk u raportua dhe për çfarë nuk u raportua në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve dhe sidomos për zonën e Vlorës. Si ka mundësi që u kursyen publikimet mbi veprimtarinë kriminale të prezumuar të vëllait të Kryetarit të Komisionit të Ligjeve dhe Kryetarit të Komisionit të Posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi në atë periudhë?!
– Po si ka mundësi në ato mijëra faqe që tregtoheshin mediatikisht nga PD-ja dhe qarkullonin nëpër zyra lokale e ndërkombëtarë nga drejtuesit e SHISH-it të asaj kohe dhe prokurorë politik si Hajdarmataj (të emëruar të drejtpërdrejtë të familjes Berisha), lidhur me kanabisin në zonën e Vlorës në ato vite, nuk gjendet qoftë edhe një aludim periferik për tim vëlla apo qoftë edhe një familjar tjetër të rrethit tim familjar shumë të gjerë?!
– Si është e mundur që veç gazetarit “investigativ” Olldashi, mikut të ngushtë të Salianjit, asnjë tjetër, sidomos nga ata që janë të dalluar për gazetarinë investigative dhe që në jo pak raste pretendojnë se dinë më shumë se agjencitë ligjzbatuese çfarë ndodh në botën e krimit e trafiqeve, nuk ju doli në investigimet e tyre në asnjë rast të vetëm emri i tim vëllai për çfarëdolloj aktiviteti të paligjshëm?!
– Si ka mundësi që në qytetin e Vlorës për këtë veprimtari të prezumuar kriminale të Agronit nuk ka dijeni askush, por këtë e di vetëm shoku i Bashës, Babalja?! Apo mundet të jetë që edhe disa të tjerë e dinë këtë fakt, por kanë frikë ta denoncojnë, apo të denonconin?! Kështu i bie që në gjithë Vlorën sot ka vetëm një “trim” që denoncon krimin dhe lidhjet e tij me pushtetin. Ai është “Babale”, agjenti i Salianjit dhe njeriu i drejtësisë së Lulit.
Ju lutem, a ka absurditet më të madh se kaq apo duhet të besojmë çdo çmenduri politike të logjikës babaliste?!
PD-ja dhe specifikisht Salianji, por dhe ndonjë gazetar i medias kanë folur shpesh që akuzat e tyre ndaj vëllait tuaj për trafik nuk u hetuan kurrë?
Edhe kjo është gënjeshtër. Me këtë djaloshin nuk çuditem aq shumë se kjo është gënjeshtra më e vogël e tij. Ata që më çudisin dhe më zhgënjejnë janë disa opinionistë apo disa gazetarë të kësaj fushe, të cilët nuk kanë marrë mundimin të pyesin në organin e prokurorisë në lidhje me sa deklarojnë publikisht për këtë çështje. E vërteta është se nga prokuroria është hetuar edhe për akuzat për trafik droge të bëra nga PD-ja ndaj vëllait tim. Më datë 17.05.2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Hetimet kanë vazhduar me muaj përmes një hetimi të thelluar dhe asgjë nuk është arritur të provohet si e vërtetë nga thëniet e “agjentit” Babale dhe gazetarit ‘investigativ” Olldashi dhe të ngritur në akuza publike nga ekipi babalist i SHQUPI-it. Çështja është pushuar për mungesë provash dhe vendimi i pushimit është marrë më datë 12.04.2019, nga Gjykata për Krime të Rënda, sot Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Përse drejtësia italiane nuk e mbajti në burg vëllanë tuaj në vitin 2002 kur edhe ndodhi ngjarja për të cilën u dënua më pas, por thuajse menjëherë e liroi atë duke e lejuar edhe që të kthehej në Shqipëri? Si e konsideroni faktin që po kjo drejtësi pasi e liroi në 2002 pas 10 viteve në vitin 2012 e dënon atë?
Sikurse thashë edhe pak më lart, vëllai është ndaluar nga autoritetet italiane dhe është mbajtur prej tyre vetëm 1 muaj i ndaluar. Më pas ai është lënë i lirë. Lirimi i tij vetëm pas një muaji lidhej me arsyen e thjeshtë se shkalla e pjesëmarrjes së tij në atë veprimtari jo vetëm nuk ishte themelore, por edhe se ai si person me dijenitë e veta për këtë veprimtari nuk përbënte rëndësi të madhe për ato autoritete. Ishte e verifikuar qartë se pjesëmarrja e tij në atë veprimtari kriminale ishte tërësisht rastësore. Ai nuk ishte pjesë aktive e një grupi kriminal të organizuar, por ishte thjesht kontakti shoqëror i njërit prej tyre.
PD-ja në vijimësi, por edhe këto ditë ka pretenduar se ndaj vëllait tuaj, duhet të fillonin hetimet sipas ligjit antimafia përfshi dhe hetimet ndaj jush për këtë gjë. Eksponentë të PD-së apo edhe analistë e gazetarë të ndryshëm kanë deklaruar se nuk është bërë një gjë e tillë nën ndikimin tuaj. A është e vërtetë kjo gjë?
I kam ndjekur edhe këto akuza, por nuk më çudisin më disa nga këta që as pyesin dhe as lexojnë, por veç flasin si kompetentë të fushës dhe të së vërtetës!! Në fakt është gënjeshtra e madhe e radhës. Kjo është një tjetër çështje e filluar kryesisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndaj Agronit dhe gjithë familjarëve të lidhur me të, në zbatim të ligjit përkatës.
Janë bërë hetime të shumta nga prokuroria për këtë gjë duke kërkuar e marrë të dhëna rreth Agronit dhe gjithë familjarëve të tij, përfshi edhe mua si vëllain e tij, për një periudhë kohore qysh nga viti 1994 e deri më 2019, në hipoteka, banka, tatime, sigurime shoqërore dhe një sërë agjencish të tjera që disponojnë të dhëna në këtë fushë. Në përfundim, në vlerësim të të dhënave të shumta të grumbulluara, si dhe duke hetuar për muaj të tërë pa asnjë lloj kufizimi në kohë dhe në subjekte, rezultoi qartësisht se nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat e PD-së kundrejt Agron Xhafës dhe/ose familjarëve të tij. Asgjë të paligjshme lidhur me pasurinë e tyre.
Në disa media këto ditë janë botuar lajme lidhur me një fakt të supozuar se në listën e OFL është edhe emri i vëllait tuaj. Keni dijeni ju për një gjë të tillë?
Siç e shpjegova më sipër hetimi pasuror është një gjë e bërë fakt dhe pikërisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila në bazë të ligjit antimafia ka bërë hetimin e plotë të pasurisë së tij dhe të gjithë familjarëve të tij të lidhur me të, konform ligjit. E nuk bëhet fjalë për një formular policor, por për një hetim të kryer nga kjo Prokurori. Ky është një fakt ligjor i ndodhur tashmë.
Në rastin e Agronit dhe familjarëve të tij, hetimi është bërë 360 gradë. Shqipëria është një vend i vogël dhe ti nuk ke mundësi të fshihesh apo të fshehësh çfarë ke dhe ku i ke. E për më tepër në Vlorë nuk të pyesin shumë se kush je, por ta vënë kapelen tamam sipas kokës. Kjo do të thotë se edhe nëse për një moment organi i hetimit nuk do të kishte vullnet për të hetuar, do dilte një gazetar, apo edhe një qytetar (jo nga ata digital të bërë gazi i botës) i cili lehtësisht mundet të denonconte se situata është ndryshe. Por ajo nuk është ndryshe nga sa është publike dhe konform ligjit, ndaj edhe askush, përfshi edhe prokurorinë që pati gjithë vullnetin për të kryer një hetim pasuror të thelluar, nuk vërtetoi asnjë paligjshmëri në lidhje me Agronin dhe familjarët e tij lidhur edhe me pasurinë.
Me spekulimet mediatike dhe porositësit e tyre, nuk ja vlen të merresh, pasi jo vetëm që janë skandalozë në ato që thonë, por edhe amatorë në sulmet dhe shpifjet që adresojnë. Nga të njëjtët subjekte, me të njëjtat “pasione profesionale” në një ditë “konfirmojnë” mbështetjen dhe ndihmën që Edi Rama i bënë “klanit “Xhafaj”” të drogës. Pastaj vetëm një ditë më pas “tregojnë” se si Edi Rama, po i bën presione me OFL këtij “klani”, apo Xhafaj i bën “presione” Edi Ramës!!!!
Një ditë thonë që Fatmir Xhafaj kontrollon policinë se e ka kapur atë, pastaj po këta një ditë më pas thonë që po bëhen plane që policia “ti kërkoj hesap” klanit “Xhafaj”.
Lexojini dy ditë rresh çfarë shkruajnë në raste të tilla dhe qartësisht do të kuptoni se sa qesharakë janë me “faktet” që prezantojnë dhe më shumë me “analizat” që bëjnë.
A mund ta dimë nëse është i pasur vëllai juaj? Cila është pasuria e tij?
Edhe pse nuk është shumë korrekte që ta jap unë këtë përgjigje, besoj se kam mirëkuptimin e plotë të familjes së tij në këtë rast. Im vëlla, ka mbi 20 vjet që jeton dhe punon në Vlorë, në biznes privat të cilin e ka administruar së bashku me familjarët. Një aktivitet ky tërësisht i provuar me dokumenta zyrtare sipas ligjeve në fuqi, përfshi dhe shlyerjen e rregullt të çdo lloj detyrimi ndaj shtetit. Përveç makinës së tij, siç ka rezultuar edhe nga hetimi i kryer tashmë, ka në pronësi një apartament në Vlorë të blerë prej tij në vitin 2012 dhe një tjetër apartament ku banojnë familjarisht në Vlorë, blerë në vitin 2015, e gjitha me kredi bankare së bashku me bashkëshorten. Kaq është e gjithë pasuria e jetës e këtij personi dhe bashkëshortes së tij, në adresë të të cilit çfarë nuk ka thënë goja e ligë e opozitës dhe çfarë nuk kanë vjellë edhe këto ditë disa pseudo gazetarë portalesh dhe si përherë “qytetari digital” nga vila miliona euro nga Gjiri i Lalzit.
Nëse e mbledh bashkë gjithë pasurinë e tim vëllai, nuk është as sa gjysma e sipërfaqes dhe vlerës së shtesës së bërë pa leje nga Luli i PD-së, që i është shtuar apartamentit superluksoz të deklaruar nga zyrtari Basha, në pallatin me leje të firmosur po nga kryetari i bashkisë Lulëzim Basha!! Për të mos vazhduar më tej pasi nuk ka krahasim që mund të bëhet me vilën e re në zonën më të shtrenjtë të kryeqytetit dhe sidomos me atë super pasuri me shumë zero nga pas të deklaruar po prej vet L.Bashës. Krahasuar me këtë person që ka qenë me rrogë shteti, pasuria e jetës së vëllait tim me biznes privat është si të krahasosh elefantin me milingonën apo Amsterdamin e Bashës me një rrugicë lagjeje të Vlorës. Ironia e madhe këtu është se moralin mbi gënjeshtra e bën po ky njeri, akuzat mbi të cilin janë aq të faktuara sa tashmë nuk është më e nevojshme të hetohen, por thjesht të ndëshkohen.
Ditët e fundit ju kanë akuzuar ju personalisht për mbështetje të një kompanie lojrash fati drejtuar nga një person me aktivitet kriminal, i lidhur me vëllain tuaj dhe që juve ju paska bërë dhuratë një makinë qindra mijëra euro!! A keni një koment për këtë akuzë të fundit ndaj jush?
Kam dëgjuar shumë të tilla këto ditë. Edhe më të rënda se kaq. I di arsyet e këtij sulmi si edhe personat pas tyre. Po gjithçka në kohën e vet. Nuk meritojnë asnjë koment, por meqënëse më pyetët nuk po e refuzoj përgjigjen për pyetjen tuaj.
Më vjen neveri me marrëzi të tilla të shpërndara nga ca palo njerëz e ca palo portale mediatike që ju japin ende zë dhe figurë shpifjeve të tilla. PD-ja nuk ka prodhuar vetëm “Dëshmimtarin X” por edhe të famshmin “I çmenduri B”. E lexova edhe unë gënjeshtrën digitale të radhës prej tij.
Me personin për të cilin pretendohet ky fakt i sajuar kam vetëm dy gjëra “të përbashkëta”. Që kemi të njëjtën kombësi dhe që jemi ngrohur në një diell. ASGJË tjetër. Asnjë njohje, asnjë komunikim qoftë edhe indirekt dhe të çfarëdolloji. Sa di unë edhe im vëlla dhe asnjë pjesëtar nga familja ime nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie personale me këtë person e ca më tepër ortakëri biznesi me të.
E për dijeninë tuaj personin në fjalë dhe kompaninë e tij gjatë periudhës që kam qenë ministër i Brendshëm, policia e shtetit e ka kallëzuar në prokurori me sa më kujtohet të paktën në dy raste për aktivitet të paligjshëm të lojrave të fatit dhe për pastrim parash duke kërkuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda procedimin pasuror për ta bazuar në ligjin “Antimafia”.
Tani unë i denoncoj ligjërisht aktivitet e paligjshme të këtyre personave e këta vuajnë ligjërisht pasojat e shkeljes së ligjit, dhe po këta persona “për këtë “nder”” që unë ju bëja, më dhurojnë mua “makinë”!!??
Për informacion: Në vitin 2008 kam blerë një makinë të përdorur, prodhim i vitit 2006. Është bërë deklarimi i kësaj makine si pasuri në deklaratën time të pasurisë. Aktualisht ka 14 vjet makinë, por që ende mbetet hobi im si model makine. Po ndoshta plaku digital e ngatërron me makinat e familjes dhe miqve të tyre. Po se mos e ka për herë të parë!
Kush është në fakt vëllai juaj? Cila është e vërteta rreth tij sipas jush?
Im vëlla është i datëlindjes së vitit 1975. Ka lindur në Vlorë, është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka kryer studimet në universitetin e Vlorës (me shkëputje nga puna) dhe ka diplomën e masterit në Administrim Biznesi. E për këdo që në mënyrë cinike mundet ta ironizojë këtë fakt, dua t’i them se ai asnjëherë nuk ka dashur dhe nuk ka synuar që të punësohej në shtet. Asnjëherë. Ndaj arsimin e lartë nuk e kreu në mënyrë formale dhe thjesht për të marrë një diplomë që do t’i hapte rrugën e punësimit në shtet. Ai vendosi ta kryente arsimin e lartë pikërisht se kishte nevojë për ato dije për interes të biznesit të tij dhe për ta ndërtuar ndryshe familjen e tij. Në vazhdim të kësaj ai ka bërë edhe një specializim për ekspert për vlerësim të pasurive të paluajtshme. Im vëlla është person që gëzon pa rezerva respektin e të gjithë atyre që e njohin. Është një person që ka një jetë shumë të rregullt familjare dhe pa vese shoqërore. Ai bëri vetëm një faj në rininë e tij të hershme dhe për këtë është penalizuar. Por veç atij rasti jeta dhe veprimtaria e tij është jeta dhe puna e një qytetari normal të këtij vendi. Ai në fakt, ashtu si edhe pjesa tjetër e familjes sime ka paguar rregullisht në këtë periudhë kostot e angazhimit tim politik në tërësi dhe në veçanti të angazhimit tim me reformën në drejtësi dhe si ministër i Brendshëm.
Nëse do të qëndronte në Tiranë, çfarë do ndodhte me të për efekt të përgjegjësisë penale? Kundërshtarët tuaj politik akuzojnë se vëllai juaj nuk vuajti asnjë ditë burg për shkak të mbrojtjes që mund t’i keni ofruar ju…
Sipas ligjit shqiptar në fuqi, një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe sikurse ka edhe precedentë të shumtë të krijuar në praktikën gjyqësore shqiptare, vendimi penal për Agronin nuk mundej të ekzekutohej për asnjë shkak dhe për asnjë motiv. Afati për ekzekutimin e këtij vendimi ishte parashkruar. Bëhej fjalë për ekezekutimin e një dënimi prej 4 vjetësh dhe në vitin 2017 kur ishin mbushur 5 vjet nga vendimi i Gjykatës së Lartë Italiane, ishte parashkruar që do të thotë se ishte i pamundur ekzekutimi. Pra në çdo gjykatë shqiptare që do paraqitej kjo çështje, nuk mund të urdhërohej ekzekutimi i dënimit. E thënë më shkurt për ata që nuk e njohin të vërtetën ligjore, nëse vëllai im do të shkonte vullnetarisht të bënte njohjen e vendimit të tij këtu dhe do të priste ekzekutimin e tij për dënimin në ngarkim të tij sipas ligjit shqiptar ai nuk do ta vuante fare atë, pasi periudha prej 4 vjetësh për ekzekutim është nën afatin 5 vjeçar të parashikuar nga ligji shqiptar. Një precedent ky i zbatuar normalisht në praktikën gjyqësore në Shqipëri në gjithë këto vite.
…po drejtësia italiane?
Sikurse e kam thënë edhe në këtë intervistë, nuk pati asnjëherë një kërkesë nga drejtësia italiane për ekzekutimin e këtij vendimi. Dhe në një shtet normal ku vepron ligji pa një kërkesë të drejtësisë italiane vendimi penal nuk mundej të ekzekutohej. Në rastin e shtetit fqinj qartësisht dukej që nuk kishte asnjë interes që Agron Xhafaj të vuante dënimin e marrë në Itali. Ky qëndrim i shtetit italian, nuk ishte një privilegj, apo një përjashtim për tim vëlla. Për kategori të caktuara veprash penale, për masa dënimi të caktuara dhe për rrethana të tjera ligjore (si mungesa e rrezikshmërisë së personit, etj), shteti italian edhe në shumë raste të tjera nuk ka kërkuar ekzekutimin e dënimeve penale të dhëna për shtetas shqiptar.
Pa bazë është edhe akuza për moslejimin/pengimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit të vëllait në Itali. Ju e shikoni që PD-ja përpos akuzave nuk tregon asnjë provë se si, se kur dhe me çfarë mjetesh e mënyrash unë pengova ekzekutimin e vendimit të dënimit të vëllait. Asnjë veprim imi jo vetëm kur ushtroja funksionin e ministrit, por edhe më parë nuk ka krijuar imunitet, apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit. Është tërësisht qesharake sepse në të paktën 4 raste, në vitin 2002, në 2010, në 2016 dhe në vitin 2017, kjo çështja e dënimit të vëllait tim nga opozita është bërë edhe objekt i diskutimit parlamentar. Prej vitit 2005 deri në vitin 2013 dhe për gati 6 muaj në vitin 2017 (në kulmin e debatit rreth meje), PD-ja ka qenë në pushtet, ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë kanë qenë përfaqësues të kësaj force politike dhe kanë pasur mundësinë të kenë gjithë informacionin e duhur për këtë çështje dhe të vepronin pa hezitim sipas ligjit në fuqi. Ndaj është komplet pa sens kjo akuza e fshehjes së vuajtjes së dënimit. Madje i bën edhe qesharakë për më tepër.
Atëherë përse iku ai në Itali dhe sa ndikuat ju në këtë vendim?
Pyetje shumë e drejtë e cila ka veç një përgjigje. Siç më tha mua, por edhe familjes së tij, tekstualisht dhe e thënë popullorçe “i erdhi shpirti në majë të hundës”. Ai e pa se kjo histori nuk do të mbaronte kurrë dhe këtë histori atij do t’ia tundnin përpara syve gjithmonë si një “borxh” i palarë. Nëse qëndronte këtu do kërkonin çdo ditë se pse nuk ndalohet nga policia e vëllait ministër, nëse shkonte në gjykatë dhe gjykata siç e shpjegova më lart nuk urdhëronte dot ekzekutimin e dënimit, po këta do dilnin të bërtisnin rrugëve e të thoshin sërish se e mbron i vëllai me reformën në drejtësi, frikën e vetingut, se mbrapa tij fshihet Edi Rama e plot idiotësi të tilla!! Atëherë mori këtë vendim për t’i dhënë një zgjidhje të dhimbshme, por përfundimtare kësaj sage rraskapitëse për të dhe familjen e tij. Vuajtja shpirtërisht peshon më shumë për faktin se dënimin shkoi ta vuajë një person që nuk kishte asnjë lloj lidhje me atë të 16 viteve të shkuara.
E sigurtë që kishte disa zgjidhje në ato momente që të mos e ndërmerrte këtë hap dhe të vijonte jetën normale këtu apo diku jashtë vendit. Unë si vëllai i tij nuk e nxita as atëherë si vëlla dhe as në maj 2018 që ai ta kryente këtë akt. Ishte zgjidhja e tij, e konsultuar me disa miq të përbashkët. E respektoj dhe e vlerësoj shumë gjestin e tij. Duan forcë dhe karakter akte të tilla. Është çështje dinjiteti dhe burrërie të vërtetë. E ironia është se për ligjin dhe moralin të flasin e gjykojnë më shumë ata që vetëm për fjalë i njohin këto koncepte. E më shumë akoma ju sulën vëllait im, natyrisht me objektiv mua, kundështarin e tyre politik, duke kërkuar llogari pse nuk i paguante drejtësisë “një borxh” të shumë e shumë viteve më parë, e të cilin vetë drejtësia italiane nuk ja kërkonte. Këtë e bënin ata të cilët personalisht dhe familjarisht, kanë llogari akoma të hapura dhe borxhe pa larë me drejtësinë për krime të rënda dhe jetë njerëzish të humbura prej korrupsionit të tyre material e politik. Lulëzim Basha e Sali Berisha e kanë të njollosur “kostumin” e tyre me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Ndaj duhet të mbyllin gojën kur flasin për hesapet e kujtdo tjetër me drejtësinë.
Gjithësesi besoj se një gjë është e sigurt. Koha vjen për këdo, për të mbyllur borxhet me ligjin dhe të marrë mbrapsht të keqen e mbjellë në jetët e të tjerëve.