“Para 2 vitesh mora rrugën e vetme me djalin vetëm 5 vjeçar drejt Gjermanisë për të kërkuar azil se këtu nuk kisha as ushqim dhe as shtëpi. Për të siguruar pasaportën jam detyruar të shes dhe gjakun tim. Atje më është dashur të rri dhe pa bukë, të flija përdhe vetëm me djalin e vogël,” – kështu e nis rrëfimin e jetës së saj Fidaria nga Korça, sot nënë e tre fëmijëve, e cila kohët e fundit është bërë pjesë e projektit RE-IN –VEST për familjet e rikthyera nga emigracioni.
“Në Gjermani jetonim tre familje në dhomë me një banjo e një kuzhinë, edhe pasi mësova për shtatzaninë, me djalin e dytë akoma vazhdoja jetoja në kushte të vështira, por mernim një ndihmë sado të vogël. Ushqimi nuk na mungonte, kontrollet e shtatzanisë dhe spitali gjithashtu. Kishim atë që na mungonte këtu, megjithatë jetonim me stresin se një ditë do të na rikthenin.”- shprehet nëna 32 vjeçare.
Por ky nuk ishte shqetësimi i vetëm për familjen nga Korça. Fidaria tregon se djali i vogël, tre muaj pas lindjes shfaqi shqetësime shëndetësore; nuk flinte, nuk ushqehej mirë…
Ajo tregon që kjo situatë vijoi derisa djali u bë 6 muajsh dhe kuptoi se diçka me të nuk shkonte. Nuk hezitoi ta vizionte tek mjekët në Gjermani të cilët i drejtuan vetëm një pyetje që i ka mbetur në mendje.
“A qesh bebi?” – më pyeti doktori gjerman. Nuk e di pse mu dha instikti i nënës dhe i thash PO, qesh. Bëra shumë gabim sepse ai nuk qeshte, ai thjesht buzëqeshte, nuk qeshte me zë si çdo beb,” – shton Fidaria.
Ajo kujton se në atë periudhë, përveçse bartnin me vete shqetësimin për djalin, ndodhi ajo situatë që e gjithë familja i druhej. Policia i nxori nga shtëpia ku ishin strehuar në Gjermani pasi prej disa muajsh iu kishin dërguar tre letra refuzimi njëra pas tjetrës. Të detyruar nga rrethanat u rikthyen në atdhe më të varfër seç ishin larguar. Shtëpi nuk kishin, djali sikur nuk po normalizohej, burri i cili i vuante nga epilepsia kishte probleme, u gjendën sërisht mes katër rrugëve. Prindërit e Fidaries të cilët kishin emigruar për azil i dhanë çelësin e shtëpisë së tyre për t’u strehuar përkohësisht derisa ata të kthehen nga jashtë. Përpos kushteve të vështira ekonomike, mungesë së ushqimit, punësimit të bashkëshortit, familja Podgarija po përballej tashmë edhe me një tjetër sfidë, shqetësimin se çfarë e mundon djalin e tyre të vogël.
“Mendoj se Zoti më ka përballur me shumë sfida në jetë, por lutem vetëm që Enesi të përmirësohet. Pavarësisht se jam e pastrehë, e papunë dhe nuk i përballoj dot, dua vetëm shëndetin e djalit”- shton ajo.
