E dini kush është Herri Bin? Për shumë prej jush ky emër nuk do të thotë asgjë, por ai është i lidhur ngushtë me një nga episodet historikë në futbollin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.
Ndeshja e famshme e tetorit 2014 mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd është një nga ato sfida që nuk do të harrohen ndonjëherë dhe jo vetëm nga tifozët e dy përfaqësueseve. Fluturimi i dronit mbi stadium tashmë ka hyrë në historinë e futbollit botëror, por ajo që do të kujtohet gjithashtu është edhe se si u rrezikua jeta e futbollistëve dhe stafit shqiptar në Beograd.
Me siguri, vetë futbollistët do të kujtojnë shpesh se si delegati i UEFA-s, holandezi Herri Bin, u mundua në çdo mënyrë që t’i kthente në fushë pas ndërprerjes së sfidës. I udhëzuar asokohe nga eprorët e tij që të rifillonte me çdo kusht ndeshjen, ai edhe i komunikoi Canës që të kthehej në fushë se rrezikonte humbjen e duelit në tavolinë nga UEFA, kërkesë e cila u refuzua nag ish-kapiteni i kuqezinjve i cili nuk pranonte të rrezikonte jetën e askujt në atë stadium.
Bin, për shumë vite është kritikuar për veprimet apo mosveprimet e tij dhe mosplotësimi i duhur i protokollit për sigurinë e ndeshjes ka qenë një nga “fajet” e tij në Beograd. I larguar për shumë kohë nga aktivitetet shumë të rëndësishme të UEFA-s, biznesmeni holandez duket se ësht kthyer pas 5 vitesh përsëri të jetë një emër “i besuar” për këtë organizatë.
Tashmë 70-vjeçar, në fundin e karrierës si delegat, ai do të jetë personi përgjegjës për një prej dy ndeshjeve të sotme në gjysmëfinalet e Ligës së Europës. UEFA e ka caktuar atë si delegat në sfidën mes Çelsit dhe Eintraht Frankfurt në Londër, një duel i cili me shumë mundësi mbyll edhe karrierën e tij ndërkombëtare ku si njollë do t’i mbetet gjithmonë ajo natë në Beograd. /vipsport
