Numri i rasteve të reja me koronavirus në mesin e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara është rritur për 40 për qind në dy javët e fundit të muajit korrik, sipas një raporti të publikuar dy javë para se dhjetëra miliona nxënës amerikanë të nisin vitin e ri shkollor, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Ekspertët shëndetësorë janë duke analizuar numrin e të infektuarve në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve, ndërkohë që autoritetet përballen me dilemat nëse duhet rihapur shkollat për mësime në klasa, të vazhdojnë mësimin në distancë, apo të krijojnë sistem të kombinuar.
Presidenti amerikan, Donald Trump, që synon të fitojë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ka shtyrë përpara idenë që nxënësit të kthehen fizikisht nëpër klasa, mirëpo ekspertët shëndetësorë kanë pasur rezerva për këtë gjë në zonat ku numri i rasteve me koronavirus është rritur dukshëm.
Raporti i ri i Akademisë Amerikane të Pediatërve dhe Asociacioni i Spitaleve për Fëmijë, kanë gjetur që më shumë se 338,000 fëmijë kanë rezultuar pozitivë në sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, prej kur është raportuar për pandeminë.
Vetëm në periudhën 16-30 korrik, është raportuar për 97,078 fëmijë të infektuar me koronavirus në territorin amerikan.
Shumica e të infektuarve janë regjistruar në jug dhe perëndim të SHBA-së është thënë në raport.
