Jo vetëm ushqimet dhe karburanti, por edhe çmimet e qirave po rriten ndjeshëm. Agjentët imobiliarë konfirmojnë se jetesa në Tiranë po bëhet më e kushtueshme, teksa japin edhe arsyet që po ndikojnë në këtë shtrenjtim.
Çmimi i qirave në kryeqytet është shtrenjtuar ndjeshëm, si për zonat pranë qendrës, ashtu edhe për periferitë. Rritja vlerësohet nga 10-20%, sipas vëzhgimeve të tregut.
Sipas agjentëve imobiliarë, rritja e çmimeve konstatohet edhe për shitjen e apartamenteve dhe rrjedhimisht, kjo ka çuar që edhe qiratë e tyre të jenë më të larta, raporton A2.
Agjentët imobiliarë shpjegojnë se shtrenjtimi i qirave ka ndodhur edhe për faktin se pronarët e tyre po shpenzojnë më shumë në rritjen e standardit për mobilim apo për cilësinë e banesës.