Në një konferencë të posaçme për mediat, ministri në detyrë i MEPJ-së, Gent Cakaj paralajmëroi rrokadë në trupën diplomatike shqiptare. Ai tha se ka krijuar një grup pune për shqyrtimin e hollësishëm të cilësisë së burimeve njerëzore në shërbimin diplomatik dhe bëhet fjalë për mbi 20 diplomatë me të cilat MEPJ shkëput marrëdhëniet.
“Duke vlerësuar momentumin e ri politik të hapjes së dyerve të shtetit për të rinjtë e këtij vendi, si një avantazh të madh që duhet shfrytëzuar me patjetër për të ripërtërirë në mënyrë thelbësore e përmbajtësore administratën tonë, sot para jush komunikoj se kemi gati thirrjen publike për aplikimin për vakancat e krijuara nga kjo valë pastrimi në shërbimin tonë diplomatik. Duke u mbështetur në shembullin kuptimplotë të ekselentëve që janë bërë pjesë e administratës, Paktin për Universitetin dhe procesit transparente e meritokratik në shërbim të angazhimit tonë ftoj të interesuarit potencial, për të aplikuar në shërbimin dipkomatik”, tha Cakaj.
Nga shqyrtimi i grupit të punës së Cakajt rezultoi se “një pjesë e punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre, e lëre më pastaj mbështetur ambicien e kësaj qeverie, për ta çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë”.
Shqipëria nuk është e miqve dhe as e kushërinjve politik apo klaneve e krushqive të kujtdo qoftë, por e të gjithëve dhe meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit, që me shpirt duan të shërbejnë me pasion me kapacitetin e plotë profesional dhe normal, thekskoi ministri në detyrë.