Sot bëhen 25 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit Azem Hajdari u vra me armë zjarri jashtë godinës së selisë blu, më 12 shtator 1998. Deputeti dhe ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 që përmbysi regjimin komunist në Shqipëri, u ekzekutua në moshën 35-vjeçare.
Në një intervistë për Euronews Albania, Rudina Hajdari, ish-deputete e PD dhe vajza e Heroit të Demokracisë tha se nëse Azem Hajdari do ishte gjallë sot gjërat në PD do ishin shumë ndryshe.
Sipas saj, Azem Hajdari do kishte një rol përbashkues në PD ndërsa do të ishte potencial për drejtimin e partisë.
Hajdari u shpreh se nëse i ati do ishte gjallë nuk do ta kishte lejuar zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD dhe me shumë gjasë do të kishte mbështetur Sokol Olldashin në garën për kreun e partisë.
“Ai po të ishte sot do ishte një figurë unitare në PD. Emërimi i Bashës si kryetar nuk do të ndodhte nëse Azem Hajdari do ishte gjallë se nuk fitoi asnjëherë zemrat e demokratëve. Nëse do të ishte gjallë në atë kohë do kishte përkrahur Olldashin, jo Bashën”, tha Hajdari.