Një sulm me armë në një shkollë tronditi sot Rusinë, duke shkaktuar të paktën 13 viktima, shtatë prej të cilëve fëmijë dhe 14 të plagosur. Sipas mediave personi i armatosur që ka kryer sulmin ka qenë i frymëzuar nga të shtënat famëkeqe në shkollën “Columbine”.
Raportet fillestare thanë se dy roje sigurie dhe disa fëmijë u plagosën ose u vranë në shkollën nr. 88 në Izhevsk – kryeqyteti i Republikës së Udmurtit të Rusisë, afërsisht 600 milje në lindje të Moskës.
Nxënësit dhe mësuesit u panë të strukur nën tavolina dhe të fshehur në dollapët e klasave të tyre, ndërsa personi i armatosur kalonte nëpër salla, në pamjet tronditëse që qarkulluan në rrjet.
Studentë të tjerë u plagosën pasi u hodhën nga dritaret për t’i shpëtuar të shtënave me armë, ndërsa në Telegram qarkulluan video që tregojnë momentin kur policët e armatosur u grumbulluan në ndërtesë në kërkim të personit të armatosur, ndërsa oficerë dhe mësues të tjerë çuan fëmijët e panikuar drejt daljeve.
Policia më vonë e gjeti agresorin të vdekur në shkollë, pasi kishte kryer vetëvrasje, por motivi i tij është i panjohur, ndërsa imazhet e kufomës treguan një shenjë dalluese naziste të qepur në këmishën e tij.
Ndërkohë, pistoletat e përdorura në sulm mbanin zinxhirë çelësash të punuar me dorë për të nderuar sulmuesit e “Columbine”, Eric Harris dhe Dylan Klebold, të cilët organizuan një nga të shtënat më famëkeqe në shkollë në Kolorado, SHBA, në vitin 1999.
Një zinxhir shfaqte fjalët ‘Eric’ dhe ‘Dylan’, ndërsa në tjetrin shkruhej ‘Columbine’.
Agresori më pas u identifikua si Artyom Kazantsev, një ish-nxënës i shkollës nr. 88, i lindur në vitin 1988.
“Ajo që ndodhi nuk ishte një sulm terrorist. Si e vetmja arsye për atë që ndodhi, ju kërkoj të përmendni urrejtjen. Unë nuk jam anëtar i asnjë organizate ekstremiste, nuk kam kërkesa politike”, shkruante ai në një mesazh të ripostuar në Telegram, i cili mendohet se është shkruar prej tij para sulmit.