Rusia ka vijuar sulmet ndaj Ukrainës edhe gjatë natës, duke lëshuar një valë raketash balistike dhe dronësh drejt Kievit dhe qyteteve të tjera.
Sulmet vijnë në një moment kur në Paris u mblodh Koalicioni i të Vullnetshmëve, ku një ditë më parë u formua edhe “Koalicioni kundër raketave balistike”, me synimin për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.
Sipas mediave të huaja, në Kiev u dëgjuan shpërthime të shumta dhe u raportuan zjarre, veçanërisht në jug të kryeqytetit.
Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit (KCMA) bëri të ditur se sulmet shkaktuan zjarre në lagjet Holosiivskyi dhe Darnytskyi. Më vonë, kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko, sqaroi se zjarret u shkaktuan nga goditjet ajrore ruse që kishin në shënjestër depot në lagjen Holosiivskyi.
Sulme me dronë u regjistruan edhe në një qytet pranë Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, ku sipas guvernatorit rajonal Oleh Syniehubov u plagosën gjashtë persona.
Ndërkohë, në qytetin juglindor të Zaporizhzhias, dronët rusë goditën zona banimi dhe objekte të tjera civile, duke lënë të paktën 11 të plagosur, sipas shërbimeve të emergjencës.
Pavarësisht përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për të ndërmjetësuar një zgjidhje që do t’i jepte fund luftës, një marrëveshje armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të mbetet e largët.
