Rusia po përballet me një krizë të gjerë të furnizimit me karburant, ndërsa pothuajse në të gjithë vendin raportohen mungesa benzine dhe ndërprerje të furnizimit.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm pas intensifikimit të sulmeve me dronë nga Ukraina ndaj rafinerive ruse, të cilat kanë goditur kapacitetet e prodhimit të karburantit.
Sipas raportimeve, mbi 50 rajone kanë konfirmuar probleme me furnizimin me benzinë, ndërsa në disa zona autoritetet kanë vendosur masa racionimi për të përballuar krizën. Në raste të caktuara është shpallur edhe gjendje alarmi për menaxhimin e situatës.
Në qytetet kryesore, përfshirë Moskën, janë krijuar radhë të gjata në pikat e karburantit. Qytetarët raportojnë pritje që zgjasin disa orë, ndërsa në shumë pika furnizimi është vendosur kufizim për sasinë e benzinës që mund të blejë secili. Në disa rajone është ndaluar edhe përdorimi i kanistrave, për të shmangur grumbullimin e rezervave nga qytetarët.
Sipas ekspertëve, dëmtimi i rafinerive nga sulmet ukrainase ka ulur ndjeshëm prodhimin e karburantit, duke krijuar vështirësi në zinxhirin e furnizimit.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse këmbëngulin se situata është nën kontroll dhe se po ndërmerren masa për stabilizimin e tregut dhe rikthimin e furnizimit normal.
Megjithatë, kriza ka shtuar tensionet sociale dhe shqetësimin mes qytetarëve, ndërsa frika për mungesa edhe më të mëdha të karburantit vijon të përhapet në shumë rajone të vendit.
