Presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Rama dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të kenë mundësi që të përdorin thirrje telefonike pa limit kundrejt numrave brenda dhe jashtë vendit.Rama-Meta-Ruci-1-590×354
Vendimi i datës 2 shtator i Këshillit të Ministrave iu mundëson gjithashtu 4 figurave më të larta të shtetit shqiptar që të përdorin pa limite numrin e telefonit edhe kur janë jashtë vendit, pra, duke përdorur shërbimin “roaming”.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave, të botuar në Fletoren Zyrtare, bëhet një ndarje në 5 kategori të zyrtarëve të lartë shtetërore për mënyrën e përfitimit të këtij faciliteti që iu garantohet nga buxheti i shtetit. Në nënndarjen e dytë, ku përfitimi do të jetë deri në masën 400 mijë lekë të vjetër në muaj, janë kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, si dhe drejtuesit e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kjo kategori ka të drejtë të përdorë shërbimin “roaming” kur janë jashtë vendit, por gjithmonë brenda kostos që mbulohet nga buxheti i shtetit, duke mos tejkaluar shumën e 400 mijë lekëve të vjetër.
Ndërkohë, në kategorinë e tretë, lista e funksionarëve që përfitojnë 200 mijë lekë të vjetër për përdorimin e telefonit fillon me Avokatin e Popullit dhe vazhdon me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, zëvendëskryetarët i Kuvendit/zëvendëskryeministrin, ministrat, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, titullarët e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryetarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kryetari i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
Në shkallën e katërt të përfituesve me 100 mijë lekë të vjetër futen pozicioni i Sekretarit i Përgjithshëm në institucionet Presidencë, Kuvend, Këshillin e Ministrave, Drejtor i Kabinetit të Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, si dhe çdo funksionar në nivel politik ose në nivel drejtues, i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion. Po ashtu, në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit”, që kanë pagë të këtij niveli.
Gjithashtu, në nivelin e katërt të përfitueseve renditen edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, anëtarë të Gjykatës së Lartë/Gjykatës Kushtetuese, Komisionerë dhe gjyqtarë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në nivelin e pestë të përfituesve që marrin 40 mijë lekë të vjetër për përdorimin e telefonit janë niveli i lartë i ekspertëve dhe specialistëve në disa sektorë dhe dikaster të rëndësishëm të shtetit, si: Sekretari i Përgjithshëm në ministri, magjistrat në strukturat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në sistemin e akuzës dhe gjykatave, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme, si dhe çdo funksionar në nivel drejtues i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion.
Në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit” apo “zëdhënës shtypi në kabinetin e titullarit”, që kanë pagë të këtij niveli. Sipas vendimit të qeverisë, shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës.
Vendimi thekson se drejtuesit e njësive të vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, por shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë në çdo rast jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, të miratuara për institucionin që drejtojnë.
LIDHJA NR. 1 – PA LIMIT
Presidenti i Republikës
Kryetari i Kuvendit
Kryeministri
Kryetari i Gjykatës së Kushtetuese
LIDHJA NR. 2 – 40 000 LEKË/MUAJ
Kryetar i Gjykatës së Lartë
Prokuror i Përgjithshëm
Drejtues i SPAK/Byroja e Hetimit
LIDHJA NR. 3 – 20 000 LEKË/MUAJ
Avokati i Popullit
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit
Zëvendëskryetar i Kuvendit/zëvendës kryeministër,
Ministri, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit,
Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Titullar i
institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve
dhe prokurorëve, Kryetar i Këshillit të Lartë të
Prokurorisë, Kryetar i Inspektoratit të Lartë të
Drejtësisë
LIDHJA NR. 4 – 10 000 LEKË/MUAJ
Sekretari i Përgjithshëm në institucionet Presidencë, Kuvend, Këshillin e Ministrave, Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit si dhe çdo funksionar në nivel politik ose në nivel drejtues i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion. Në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit” që kanë pagë të këtij niveli. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Anëtarë të Gjykatës së Lartë/Gjykatës Kushtetuese, Komisionerë dhe gjyqtarë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve
LIDHJA NR. 5 – 4 000 LEKË/MUAJ
Sekretari i Përgjithshëm në ministri, Magjistrat në strukturat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në sistemin e akuzës dhe gjykatave, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme si dhe çdo funksionar në nivel drejtues i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion. Në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit” apo “zëdhënës shtypi në kabinetin e titullarit”, që kanë pagë të këtij niveli.