Sadije Agolli mbylli sytë pasditen e të martës, për t’u bashkuar në përjetësi me dashurinë e jetës së saj, Dritëroin.
Arriti të jetonte dy vjet pa shkrimtarin e njohur, si për të mbyllur ato punë të tij që ngelën përgjysëm. Jo se nuk e donte më jetën, Sadija kujdesej për shëndetin, por tjetërsimi i jetës, mungesa e të shoqit e mundën.
Dje, pasdreke vonë, në shtëpinë që ishte më e heshtur se asnjëherë, e bija, Elona, ulur në kolltukun e ri të shtëpisë, pozicionuar aty ku qëndronte dikur i ati e më pas e ëma, përsëriste vetëm këtë… “E dinim që fundi nuk do të ishte i largët. Ca kohë më parë, kur shkova bashkë me mamin për të bërë një kontroll të përgjithshëm, doktor Petrela i tha se mund të jetonte edhe 20 vite të tjera, por të paktën ne të dyja e dinim që kjo nuk mund të ishte e vërtetë. Mami nuk po jetonte dot pa babin…”
“Mami pati një hemorragji cerebrale, që mjekët na thanë se ishte shumë e rëndë. Ndodhi një javë më parë dhe prej ditës që e shtruam në spital, pas ekzaminimeve na njoftuan se gjendja ishte e rëndë. Më pas, me kurimin e mushkërive që iu bë, gjendja u përmirësua fare pak, reagoi shumë pak, por shpresat nuk ishin të mëdha, sado që doktorët në të tilla raste, edhe për mos të na mërzitur, vazhdonin të thoshin të presim e të shohim”, por me gjithë përgjigjet shkencore të kontrolleve, Elona Agolli e ka të vërtetën e saj, mamaja nuk po jetonte dot më pa të atin.
“Bashkë me tim vëlla pyesnim veten që pas humbjes së babit, se si mund të ishte tani jeta e mamit. Gjendja u rëndua, pa dyshim. Tashmë ajo shqetësohej dhe merakosej shumëfish për gjëra fare të zakonshme, që ne të tjerëve nuk na bëjnë përshtypje sepse i jetojmë përditë, mirëpo, befas ajo filloi të merrej me të gjithë ne për gjëra që më parë nuk i kishin interesuar. E kuptova më vonë, që kjo po ndodhte sepse ajo nuk e kishte më fokusin që kishte pasur. Të gjithë vëmendjen, veten e saj, ajo e kishte të fokusuar te Dritëroi dhe kur u gjend pa të, ishte e përhumbur”. Të dy fëmijët nuk kishin si t’i shpjegonin ndryshe zgjimet e së ëmës thuajse çdo 20 minuta gjatë natës, me sy të përhumbur. Deri sa Dritëroi ishte në jetë, gjumi i të dyve nuk ishte fare i qetë, mirëpo tani Sadija sikur po zgjohej gjithnjë e më shumë në oraret e pagjumësisë së tij. “Po jetonte në jerm… Megjithëse unë përpiqesha ta angazhoja me gjëra të babit, të ndihej e dobishme se po bënte diçka, ajo nuk arriti ta zgjasë shumë. Të gjitha bisedat i bënte vetëm rreth tij. Së fundmi, u shqetësua gjithashtu për bisedat e kthimit të shtëpisë në muze. Në fillim nuk donte, por pastaj e pranoi, për të do ta pranonte që ta ndante me të tjerët”, tregon Elona për Panorama.
Sadije Agolli jo se nuk ishte e bindur, jo se kishte ndonjë dyshim për lëshimin e shtëpisë që të kthehej në muze… Të gjitha kundërshtimet që shfaqi në fillim, i pati sepse e dinte që nëse nuk do të ishte në atë shtëpi, nëse nuk do të jetonte e rrethuar me sendet, librat, kujtimet e portretet e të shoqit nëpër mure, ajo nuk do ta kishte të gjatë as vetë. Një pjesë e saj donte të rronte, të shihte edhe një herë hyrje-daljet në atë shtëpi, për të ‘takuar’ Dritëronë, por pjesa tjetër, shpirti i saj, nuk mundi. Sepse Sadija nuk do mund të jetonte në asnjë shtëpi tjetër dhe ‘e pranoi’ përpara të gjithëve me ikjen e saj.
“Amaneti i saj ishte pikërisht muzeu. Ajo nuk jetoi ndonjëherë për vete, veçse të kujdesej për babin, prandaj edhe porositë e fundit do të ishin për të. Tashmë na takon neve të kujdesemi që gjithçka të shkojë mirë, siç do donte ajo, që kjo shtëpi tashmë të tregojë të gjithë jetën e të dyve”, thotë Elona.
Dritëro Agolli la edhe dorëshkrime të papërfunduara… “Romanin ‘Vrasja e kukuvajkës’, që Dritëroi e ka lënë pa mbaruar dhe që e kishte merak gjithnjë, mirëpo thoshte nuk botohet publicistikë. Ka 97, 98, 99, i ka bërë Lona gati. Ishalla jetoj në mënyrë që të arrij t’i realizoj”, pati thënë Sadija kur u bind më në fund të jepte një intervistë, pak kohë përpara se të ndahej nga jeta, por nuk ishte e thënë për të që t’i shihte të gjitha punët e të shoqit.
