Rrjeti SafeJournalists ka shprehur shqetësim për disa dispozita të rregullores së re të brendshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke vlerësuar se ato mund të krijojnë kufizime për aksesin dhe punën e gazetarëve gjatë proceseve gjyqësore.
Rregullorja e re është miratuar me Vendimin nr. 49, datë 17 korrik 2026, është publikuar më 31 korrik dhe pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026.
SafeJournalists thekson se e njeh përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e sigurisë, mbrojtjen e pjesëmarrësve në procese, ruajtjen e integritetit të gjykimeve dhe administrimin e drejtësisë, por shpreh shqetësim për ndikimin që disa nga rregullat e reja mund të kenë mbi punën e medias.
Sipas organizatës, disa dispozita të kombinuara mund ta vështirësojnë ndjekjen e drejtpërdrejtë të seancave publike nga gazetarët, mbajtjen e shënimeve, komunikimin me redaksitë dhe raportimin në kohë për çështje me interes të lartë publik.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me sistemin e akreditimit të gazetarëve. SafeJournalists vëren se rregullorja parashikon akreditim vjetor dhe individual për mediat, por nuk sqaron nëse një gazetar pa akreditim të përhershëm nga GJKKO mund të ndjekë një seancë publike si pjesëtar i publikut.
Organizata ngre gjithashtu shqetësime për kërkesat shtesë ndaj gazetarëve të pavarur, të cilët duhet të dëshmojnë veprimtari profesionale gjatë 12 muajve të fundit. Sipas saj, kjo mund të krijojë vështirësi për freelancer-at, gazetarët në fillimet e karrierës ose ata që caktohen rishtazi për të mbuluar aktivitetin e gjykatës.
Një tjetër pikë kritike është procedura për aksesin në seancat me kapacitet të kufizuar. Sipas rregullores, gazetarëve mund t’u kërkohet të paraqesin kërkesë paraprake 24 orë përpara procesit, çka sipas SafeJournalists mund të pengojë mbulimin e rasteve urgjente, njoftimeve të vona apo zëvendësimeve të stafit.
Rrjeti ka ngritur shqetësime edhe për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë seancave. Sipas SafeJournalists, ndalimi i regjistrimeve ose transmetimeve të paautorizuara është i ligjshëm, por një ndalim i përgjithshëm i pajisjeve mund të pengojë mbajtjen e shënimeve, komunikimin me redaksitë dhe raportimin profesional.
Organizata propozon masa më pak kufizuese, si përdorimi i pajisjeve në modalitet të heshtur, kufizimi i funksioneve të kamerës ose krijimi i zonave të posaçme për median.
Sa i takon mbulimit audioviziv të proceseve, SafeJournalists vlerëson se kufizimet mund të jenë të arsyeshme në raste të veçanta për mbrojtjen e dëshmitarëve, privatësisë apo rendit në sallën e gjyqit, por kërkon që çdo kufizim të jetë proporcional dhe i bazuar në rrethana konkrete.
Rrjeti ka kritikuar gjithashtu përfshirjen e çështjeve që lidhen me manipulimin përmes inteligjencës artificiale dhe publikimin e materialeve të konsideruara mashtruese, duke argumentuar se veprimtaria editoriale jashtë ambienteve të gjykatës nuk duhet të rregullohet përmes sistemit të akreditimit.
Në përfundim, SafeJournalists i ka bërë thirrje GJKKO-së të pezullojë zbatimin e dispozitave që prekin median dhe të zhvillojë konsultime me gazetarë, organizata mediatike, ekspertë ligjorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas organizatës, rregullat e reja duhet të sigurojnë që çdo kufizim ndaj medias të jetë i qartë, i nevojshëm, proporcional dhe të mos cenojë të drejtën e publikut për informim.
