Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha është paraqitur i pari në Kuvend, pra që në orën 09:00 për të marrë pjesë në seancë plenare. Ai konfirmoi edhe një herë skenarin për të krijuar kaos me qëllim që të mos lejohet zhvillimi normal i seancës parlamentare pa miratuar kërkesat e tyre. Por Berisha tha se maxhoranca ka planifikuar të përdorë ushtrinë por as kjo nuk do e ndalojë.
”Nuk ka forcë në botë, ju e dëgjuat besoj, kanë planifikuar të përdorin dhe ushtrinë. Njëlloj me skenarin e vitit 1990-1991. Le të bëjë çfarë të dojë, por atë nuk e shpëton asgjë nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtën tij”,-tha Berisha.
A do të lejojë zhvillimin normal të seancës plenare? ”Jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese të mohuara në mënyrën më brutale, por që në vlerësimin tonë janë interesi i të gjithë qytetaëve që duan pluralizmin dhe interesi i atyre që votuan kundër qeverisë dhe një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë përfaqësuesin e të cilit do të caktojë Edi Rama”.
