Sali Berisha pretendon se shpallja e tij non grata pas SHBA-së edhe nga Britania e Madhe është lobuar nga kryeministri Edi Rama.
Kreu i Partisë Demokratike thotë se ka fakte që sipas tij, implikojnë ambasadorin King-Smith në shpalljen e tij ‘non grat’a nga Britania e Madhe.
“Dëshmi më flagrante e bashkëpunimit të korrupsionit shqiptar dhe ndërkombëtar. Kjo është dëshmia më flagrante sesi një qeveri e korruptuar në çdo qelizë korrupton një ambasador. Këto që ju them këtu do ua faktoj, tani disponoj dosjen, sesi një qeveri korrupton një ambasador të një vendi të mrekullueshëm”, u shpreh ai.
Gjatë një takimi me anëtarët e Departamentit Brain Gain & Ekselencës, Berisha tha se në dosjen e përgatitur për të janë shkruar vetëm mashtrime, me vetëm një qëllim shkatërrimin e opozitarizmit.
“Me mashtrime në çdo faqe që ka shkruajtur. E njëjta gjë është sesi korrupsioni i kësaj qeverie me korrupsionin e Soros korruptoi një ambasadore dhe jo vetëm atë për të marrë një vendim pa fakt provë bazë, me qëllim për të dëmtuar opozitën dhe ndihmuar qeverinë më të korruptuar për shkak të aftësive korruptive të kësaj qeverie.
Kjo do të thotë se sa agresive është kjo qeveri dhe sa korruptive është kjo qeveri. Arrin të krijojë ombrellë me korrupsion ndërkombëtar për mbrojtjen e saj duke luftuar anti-korrupsion”, theksoi kryedemokrati.
