Në konferencën me gazetarët, Sali Berisha nuk harroi as akuzat ndaj ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim. Ai akuzoi ambasadoren si promotore e bizneseve pa tender të hapur, si edhe e akuzon se ka mbrojtur koncesionin e Skavicës dhe të Butrintit.
“Yuri Kim ka qenë një lloj McGonigal i hapur. Në përpjekjen antikushtetuese dhe antidiplomatike për të shkatërruar opozitën. Dhe kjo është në një zinxhir deklaratash. Por, ajo mendoi se unë mund të shantazhohesha.
Ndër të tjera, i thotë një deputeti të PD-së, si mesazher: shko dhe thuaji, nëse deri nesër Sali Berisha nuk pranon këtë ose atë, ndaj fëmijëve të tij dhe atij, do merren këto masa. I përgjigjemi: mos pritni nesër, merrini sot. Nëse u kujtohet, Lul Brava u thoshte bashkëpunëtorëve të tij se do e pësojnë keq fëmijët e tij apo ai. Ajo ka tejkaluar çdo limit në këtë aspekt.
Ajo ka qenë promotore e bizneseve të padrejta, promotore e bizneseve pa tender të hapur dhe ato janë baraz me korrupsion. Ajo ka mbrojtur koncesionin e Skavicës pa tender. Ajo ka mbrojtur koncesionin e Butrintit pa tender. Ajo ka mbrojtur koncesionin për shndërrimin e TEC-it të Vlorës në gaz, që kushton 120 milionë euro, kur ndërtimi kushtoi 110 milionë. Unë kam punuar shumë që kompanitë të vijnë në Shqipëri, por nuk kam pranuar kurrë të vijnë pa tender të hapur. Pse? Sepse Bechtel është një gjigant në ndërtim, por SHBA kanë gjigantë të tjerë në ndërtim dhe ardhja e tyre në tender është në interesin e shqiptarëve që do zgjedhin ofertën më të leverdishme”, tha Berisha.
