Delegacioni i Shqipërisë u largua nga salla ku po mbahej mbledhja e 145-të e Asamblesë Parlamentare të Unionin Ndërparlamentar në Ruanda në momentin kur filloi fjalimin deputeti drejtues i delegacionit të Federatës Ruse, ky si një akt simbolik për dënimin e agresionit të Moskës në Ukrainë.
Delegacioni shqiptar është larguar në koordinim me deputetët e vendeve të Bashkimit të Evropian.
Asambleja e 145 e IPU-së, me pjesëmarrës deputetë nga 178 shtete ka bërë thirrje dhënien fund të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe miratoi rezolutën me titull: Dënojmë pushtimin e Ukrainës dhe aneksimin e territoreve nga Federata e Rusisë, në mbrojtje të integritetit territorial të të gjitha shteteve.
IPU është një organizatë globale e parlamenteve kombëtare. Ajo promovon qeverisjen demokratike, institucionet dhe vlerat, duke punuar me parlamentet dhe parlamentarët për të artikuluar dhe për t’iu përgjigjur nevojave dhe aspiratave të njerëzve.
Unioni Ndërparlamentar ka për qëllim paqen, demokracinë, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, fuqizimin e të rinjve, veprimin për klimën dhe zhvillimin e qëndrueshëm përmes dialogut politik, bashkëpunimit dhe veprimit parlamentar.
Dy deputetët shqiptarë Ervin Salianji dhe Florenc Spaho kanë qenë pjesë e delegacionit të Shqipërisë.