Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se i vjen keq që Kosova miratoi transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Ushtrinë e Kosovës, edhe pse NATO e paralajmëroi se po gabonte.
“Edhe pse në parim tranzicioni i FSK-së është çështje për të cilën duhet të vendosë Kosova, e kemi bërë të qartë se ky veprim vjen në një kohë të gabuar. Me ndryshimin e mandatit të FSK-së, Këshilli Veri-atlantik duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në. Të gjitha palët duhet të sigurojnë që ky vendim, i bërë në kohë të gabuar, nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktorët politikë në rajon duhet të përqendrohen në përparimin në reforma dhe në dialog. Kam biseduar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe i kam informuar për diskutimin aktual midis anëtarëve të NATO-s “, tha Stoltenberg për gazetën Pobjeda të Malit të Zi.
Stoltenbergtheksoi se është e rëndësishme të përmbahet nga çdo deklaratë apo veprim që mund të çojë në përshkallëzim. Sipas tij, siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë jashtëzakonisht të rëndësishme për NATO-n dhe Aleanca ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit.