Autoritetet doganore të Maltës kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine, që kapin shifrën e 10 milionë eurove.
Në njoftimin zyrtar të Doganës bie në sy se dy prej tre kontenierëve ku është kapur droga në Freeport, kishin si destinacion portin e Durrësit në Shqipëri, megjithëse nuk bëhet e ditur nëse ishte destinacioni përfundimtar. Ndërsa kontenieri tjetër ishte për në Selanik.
Dërgesat ishin të gjitha nga Amerika e Jugut. Sipas burimeve zyrtare malteze, të dielën u sekuestruan një sasi prej 76 pakosh me kokainë, me peshë 91.25 kg, me një vlerë prej 10.3 milionë eurosh.
Pas të dielës së 7 prillit, ku dhe atëherë doganat sekuestruan një sasi të madhe kokaine, edhe këtë të dielë operacioni doganor u krye për disa orë për të dhënë detajet mëngjesin e kësaj të hëne.
Sipas doganave malteze, Njësia e Monitorimit të Kontenierëve të Doganës përzgjodhi disa kontenierë për skanim, pas skanimit të mëparshëm të bërë nga skuadra e skanimit të Doganës. Dyshimet lindën në tre kontenierë, ku u gjet dhe sasia e drogës e fshehur në njësinë e kompresorit ftohës. Më pas kontrolli fizik konfirmoi dhe dyshimet.
Nga sasia e gjetur, 46.25 kg kokainë, me një vlerë prej 4.9 milion eurosh kishin destinacion portin e Durrësit në Shqipëri. Ndërsa kontenieri me 48 kg me një vlerë prej 5.4 milionë eurosh kishte destinacion Selanikun.
Operacioni ishte rezultat i bashkëpunimit të Departamentit të Doganave, Policisë dhe autoriteteve portuale të Freeport. Rasti i kaloi skuadrës së policisë për antidrogën, e cila do të vijojë hetimet.