Policia njofton finalizimin e një operacioni policor të koduar “Crypto” duke sekuestruar 60 665 euro të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme si dhe dy llogari me kriptomonedha, me vlerë 135 000 euro.
Policia ka shpallur në kërkim administratorin e një subjekti që shërbente për këmbimin e parave duke i hedhur në portofole virtuale dhe anasjelltas ndërsa është proceduar në gjendje të lirë një punëtor i këtij subjekti.
“Shtetasi R. N., administronte një subjekt në të cilin kishte punësuar shtetasin R. B. Klientët e këtij subjekti këmbenin para duke i hedhur në portofole virtuale dhe anasjelltas, të padeklaruara pranë organeve kompente dhe që nuk gjurmohen për origjinën e tyre.
Gjatë operacionit u sekuestruan 60 665 euro të përftituara nga kjo veprimtari e paligjshme si dhe dy llogari me kriptomonedha, me vlerë 135 000 euro, 2 kompjutera, 1 laptop, dhe një aparat celular. Vijon puna për kapjen e shtetasit R. N”, thuhet në njoftimin e policisë.
