Serbia ka eksportuar armë me vlerë 500 mln dollarë. Kjo paraqet një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin 2020, kur ky shtet eksportoi armë në vlerë prej 384.2 milionë dollarësh.
Në vitin 2020, Serbia kishte eksportuar më së shumti armë në Emiratet e Bashkuara Arabe apo 16 për qind të totalit të eksporteve, pasuar nga Shtetet e Bashkuara me 15 për qind dhe Qiproja me rreth 11 për qind. Arma më e kërkuar për shitje është obusi serb “Nora”, pasuar nga sistemi i raketave “Tamnava” dhe makina luftarake “Lazar”.
Një nga pyetjet që ngrihen në lidhje me eksportin e armëve nga Serbia është se ku përfundojnë ato. Organizatat ndërkombëtare paralajmëruan Beogradin se këto armë ndonjëherë përfundojnë në duart e ekstremistëve dhe përdoren për sulme ndaj civilëve. Për shkak të eksportit të armëve ka pasur raste kur raportet diplomatike të Serbisë me vende të caktuara janë dëmtuar.
Në gusht të vitit 2021, organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (Ai), identifikoi armë të prodhimit serb në videot e publikuara nga grupet e armatosura që veprojnë në rajonin Sahel të Afrikës. Rajoni Sahel, në Afrikën Perëndimore, gjendet në zonën kufitare midis Malit, Nigerit dhe Burkina Fasos. Armët serbe kanë përfunduar edhe në duart e anëtarëve të degës së grupit militant, Shteti Islamik (IS).
AI ka identifikuar 12 raste kur luftëtarët në rajonin e Sahelit u panë duke mbajtur armë të reja të prodhuara nga kompania serbe, “Zastava”. Kjo organizatë megjithatë nuk mundi të përcaktojë synimin e eksportit të kësaj arme në këtë zonë. Siç u tha, ndoshta rruga e eksportit u devijua nga grupet e armatosura ose ato u bartën përmes kanaleve të paligjshme ose janë siguruar në fushëbeteja.
Në atë kohë, Ministria serbe e Tregtisë tha për median Nova se pranuesi i fundit i armëve të eksportuara në Burkina Faso më 2020 ishte Ministria e Mbrojtjes së atij shteti dhe shërbimi i sigurisë kombëtare të Burkina Fasos.