Propozimi i Anton Qunit për Ministër të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë Kurti ka nxitur reagime të shumta në mediat serbe.
Mediat pro-qeveritare atje kanë filluar gjahun ndaj Qunit duke thënë se Kurti ka propozuar për ministër njeriun të cilin Serbia e ka dënuar për vrasjen e 6 ushtarëve të ushtrisë jugosllave.
Siç shkruan Novosti, Quni është dënuar nga Gjykata e Lartë në Nish për vrasjen e 6 ushtarëve në vitin 1998.
“Ai dhe shumë ushtarë të tjerë të UÇK’së u dënuan me nga 15 vjet burg në mungesë”, thuhet në raportimet e mediave serbe, transmeton Gazeta Express.
Ndër të tjera ‘Novosti’ shkruan se “provat kryesore të këtyre rasteve kanë qenë video incizimet”.
“në aktakuzë thuhej se ushtarët e UÇK’së fillimisht kishin përgatitur një pritë për ushtarët e Jugosllavisë duke vendosur mina anti-tankë”, thuhet ndër të tjera në raportimin e mediave serbe.

Biografia e Anton Qunit
Anton Quni ka lindur ne fshatin Fshaj të Gjakovës me 09.06.1967.
Familja e tij shumë herët zhvendoset për të jetuar në Prizren.
Antoni është i martuar me znj.Mirjana dhe së bashku kanë katër fëmijë.
Ka studiuar në Akademi Ushtarake dhe me notat më të larta është graduar si Oficer i karrierës.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai braktisi Zvicrën për të ju përgjigjur kushtrimit për t’i dalë zot atdheut.
U rreshtua në UÇK nën komanden e Ministrit të Mbrojtjës, kolonel Ahmet Krasniqi.
Me njësinë e tij, zhvilloi operacione të suksesshme ushtarake në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, në Koshare.
Anton Quni, përkrah Agim Ramadanit, Salih Çekajt, Xhemajl Fetahajt, e ushtarakëve të tjerë mori pjesë në fitorën historike kundër ushtrisë serbe në Betejën e Kosharës, që njihet si Beteja që tmerroi armikun.
Pas lufte, Antoni ka shërbyer në TMK dhe FSK. Më pas në kabinetin e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, si përgjegjës për Sigurinë Kombëtare.
Nga viti 2010, Anton Quni, ka qenë zë i fuqishëm i qytetarëve në Parlamentin e Kosovës.
Aktualisht, ai është Kryetar i LDK’s për Prizren dhe në këto zgjedhje po garon sërish për një ulëse në Parlamentin e Kosovës.