Fismir Jahiu nga Komuna e Bujanocit në Serbi ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës në Kosovë, por, diploma e tij, nuk njihet nga autoritetet në Serbi, pavarësisht marrëveshjes për njohje reciproke të diplomave të arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Për të punuar në administratën shtetërore, thotë ai, kërkohet që kandidati të ketë një shkollim të lartë.
“Konkurset që shpallen në Republikën e Serbisë nëse janë konkurse publike nga administrata shtetërore, atëherë kërkohet që të ketë përgatitje të lartë që neve aktualisht nuk po na njihet pasi që nuk njihen diplomat tona. Ne në Entin e Punësimit njihemi vetëm si gjimnazist, si njerëz të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme, pra nuk na njihet shkollimi i lartë që kemi përfunduar në Universitetin e Prishtinës”, thotë Jahiu.
Në negociatat për çështje teknike të ndërmjetësuara nga Brukseli, më 2011 Prishtina dhe Beogradi kishin arritur marrëveshjen për njohje reciproke të diplomave. Në vitin 2016 kjo marrëveshje ishte zgjeruar duke përfshirë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit.
Por, kjo marrëveshje bilaterale nuk po gjen zbatim në praktikë dhe po u shkakton probleme në punësim të diplomuarve si Fismiri, i cili ende nuk ka arritur të punësohet në Serbi në profesionin të cilin e ka studiuar.
Mosnjohja e diplomave të lëshuara nga universitetet e Kosovës nga Serbia ka dekurajuar shumë të rinj nga Lugina e Preshevës që të vazhdojnë studimet në Prishtinë pas mbarimit të shkollës së mesme.