Shefi i Stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, ka reaguar pas publikimit të hulumtimit të Associated Press, ku dëshmohet furnizimi i Serbisë me armë kineze përmes Turqisë.
Vela, është shprehur i shqetësuar për këtë lajm, duke thënë se kjo është dita e dytë që përmes rrugëve ajrore, armatimi kinez po transportohet drejt Serbisë, shkruan Gazeta Express.
”Është dita e dytë e dërgesave të armëve kineze në #Serbi: disa fluturake të Forcave Ajrore Kineze fluturuan mbi Bosfor gjatë rrugës për në Bazën Ajrore Batajnica për të dorëzuar Guizhou Aerospace, nga industria Shaanxi Yelloë River Group, prodhuar në versionin HQ22 Red Banner SAMK, për eksport”, ka shkruar Vela.
Mediat dhe ekspertët ushtarakë thanë të dielën se gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore Kineze u ulën në aeroportin civil të Beogradit të shtunën, duke raportuar se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.
Dorëzimi i armëve mbi territorin e të paktën dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Bullgarisë, u pa nga ekspertët si një demonstrim i shtrirjes globale në rritje të Kinës.
Edhe pse Serbia ka votuar në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë sulmet e përgjakshme ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose t’i kritikojë drejtpërdrejt masakrat e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.