Vedat Muriqi deri në këto moment të sezonit nuk ia ka dalë të shfrytëzojë mundësitë e dhëna nga trajneri i Lacios, Simone Inzagi. Në këtë formë, në drejtim të drejtorit Tare kanë ardhur shumë kritika për 20 milionat e shpenzuara në verë për bomberin e përfaqësueses së Kosovës.
Ndërkohë, me hapjen zyrtare të merkatos në janar, po flitej se sulmuesi mund të kalonte në një tjetër klub në formën e huazimit për të rigjetur versionin e tij më të mirë. Por, tashmë duket se situata ka ndryshuar teksa te Lacio është dëmtuar Korrea dhe duke nisur nga ndeshja e radhës në fillim të janarit nuk do të mund të jetë pranë skuadrës.
Sakaq, sulmuesi tjetër Kaisedo duket i prirur për t’u larguar drejt Fiorentinës dhe kështu Muriqi do të ketë sërish mundësi për të treguar aftësitë. Ndaj, trajneri Inzagi me siguri do të thërrasë emrin e tij në apel dhe ai duhet të përgjigjet se është prezent, për të mos shpërdoruar mundësinë e jetës.
