Xherdan Shaqiri nuk do t’i thoshte jo rikthimit në Itali. Ai është i dashuruar me botën italiane, stilin e jetesës, identitetin italian. Por ajo që e befason më shumë është dashuria që populli ka për futbollin.
Ai shprehet se futbolli është jetë në Itali. Tifozët janë të jashtëzakonshëm. Në lidhje me interesimin e klubit të Lazio-s dhe vlerësimin që drejtori sportiv Igli Tare ka për të, shqiptaro-zvicerani veçse ndihet mirë.
“Tare prej vitesh po bën një punë mjaft të mirë te Lazio. Nëse është e vëretë që më vlerëson mua, atëherë jam i nderuar. Unë e ndjek prej shumë kohësh Lazio-n. Është një klub i një niveli të lartë”.
Shaqiri mendon se do të përshtatej mirë me skemën 4-3-3 që trajneri Maurizio Sarri e preferon më shumë.
“Përgjithësisht, nisur edhe nga karakteristikat e mia, më pëlqen që të luaj një futboll më ofensiv dhe Sarri e praktikon. Do të ishte intriguese”.
Me Liverpulin mefushori ka edhe një vit kontratë, por mund të largohet që këtë Verë nëse vjen oferta e duhur. Tri golat që ai shënoi në Euro 2020 janë një mesazh i qartë për potencialin që 29-vjeçari ka. Interes për të, përveç bardhekaltërve kanë shfaqur Sevilla, Villareal dhe Napoli.