10 kandidatët kryesorë demokratë u përballën në një debat të gjallëruar mbrëmjen e së enjtes, duke shkëmbyer goditje për një sërë çështjesh, si dhe duke sulmuar njëkohësisht njeriun që duan të largojnë nga Shtëpia e Bardhë në zgjedhjet e 2020-tës, Presidentin republikan Donald Trump.
Senatorja nga Kalifornia, ish-prokurorja Kamala Harris, akuzoi Presidentin Trump se u angazhua në “urrejtje, intimidim dhe frikësim”, dhe se gënjeu 12 mijë herë gjatë presidencës së tij prej dy vitesh e gjysëm.
Ajo tha se e vetmja arsye përse ndaj Presidentit Trump nuk u ngritën akuza për pengimin e hetimeve të lidhjeve të fushatës së tij me Rusinë ishte politika e Departamentit të Drejtësisë “që thotë se nuk mund të ngrejë akuza ndaj një presidenti në detyrë”.
“Populli amerikan qëndron shumë më lart”, tha ajo.
Ish-Ligjvënësi nga Teksasi, Beto O’Rourke, tha se një sulmues i armatosur në qytetin e tij të lindjes El Paso që vuri në objektiv meksikanët dhe mori 22 jetë në muajin gusht, ishte “i frymëzuar për të vrarë nga presidenti ynë” për shkak të fushatës së tij kundër emigrantëve që përpiqen të hyjnë në vend nëpërmjet kufirit jugor me Meksikën.
Senatorja Amy Klobuchar, nga Minesota, tha se Presidenti Trump preferon “më mirë të gënjejë se sa të udhëheqë”.
Tre kandidatët që kryesojnë në anketime, ish-Nënpresidenti Joe Biden dhe Senatorët Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders, bënë kritika të mprehta ndaj Presidentit Trump.
Zoti Biden, ish-nënpresident gjatë dy mandateve të ish-Presidentit Barack Obama, tha se nuk mundet të shtyhet beteja për të kuruar kancerin dhe sëmundjen Alzheimer, apo të përmirësohet arsimi, për shkak të politikave të kundërta që po ndjek administrata Trump. “Krijohen mundësi të jashtëzakonshme në momentin që heqim Donald Trump-in”, tha zoti Biden.
Ndërsa kandidati Bernie Sanders e quajti Presidentin Trump “Presidentin më të rrezikshëm në historinë e këtij vendi”.
Politikat për kujdesin shëndetësor
Sërish, reforma e sistemit të kujdesit shëndetësor dominoi debatin televiziv prej gati tre orësh. Që në fillim, kandidatët Biden, Warren dhe Sanders debatuan me tone të larta rreth mënyrave se si duhen ndryshuar politikat e kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara.