Shtetet e Bashkuara i kanë bërë “një ofertë thelbësore” Moskës për të liruar amerikanët e mbajtur në Rusi dhe për t’i kthyer ata në shtëpi, zbuloi të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, duke shtuar se ai do të bënte presion ndaj homologut të tij rus që ta pranonte ofertën, në një bisedë të planifikuar që do ta kenë në ditët në vijim.
Në një konferencë shtypi të Departamentit të Shtetit, Blinken tha se qeveria e SHBA i ka ofruar Moskës një marrëveshje për të liruar yllin e basketbollit Brittney Griner dhe ish-marinsin Paul Ëhelan, duke vënë në dukje se ai shpreson të avancojë procesin kur të flasë me Sergej Lavrov.
“Kishte një propozim thelbësor në tryezë disa javë më parë për t’i liruar ata. Qeveritë tona na kanë kontaktuar vazhdimisht dhe drejtpërdrejt për këtë propozim. Do të përfitoj nga komunikimi (me Sergej Lavrov) për të ndjekur këtë çështje dhe shpresoj se mund të arrijmë një zgjidhje”, tha Blinken.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së nuk pranoi të zbulojë kompromiset e ofruara nga Shtetet e Bashkuara. Rrjeti amerikan CNN raportoi se Uashingtoni ishte i gatshëm të lironte tregtarin rus të armëve Viktor Bout, i cili po vuan dënimin me burg në SHBA, në këmbim të dy amerikanëve.
Propozimi i Uashingtonit për Moskën vjen në kohën e presionit në rritje ndaj Presidentit Biden nga familjet e pengjeve dhe të burgosurve, më së fundi rasti i Grinerit – dy herë fitues i medaljes së artë olimpike me ekipin kombëtar të basketbollit të SHBA, i cili mbahet në Rusi që nga shkurti i kaluar dhe është të akuzuar për trafik droge.
Whelan u dënua në vitin 2020 me 16 vjet burg për spiunazh për Rusinë. Ai nuk pranon fajësinë dhe pohon se ishte viktimë e mashtrimit. Uashingtoni ka kërkuar lirimin e tij. Një tjetër ish-marinist, Trevor Reed, u lirua së fundmi si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi të të burgosurve SHBA-Rusi.
Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës janë në pikën më të ulët në vite për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.