Qeveria amerikane pranoi sot për herë të parë se, si pjesë e një marrëveshje, do të lirojë pesë iranianë emrat e të cilëve qeveria në Teheran i konfirmoi Zërit të Amerikës.
Konfirmimi i SHBA-së për marrëveshjen për lirimin e pesë iranianëve erdhi në një deklaratë të Departamentit të Shtetit dërguar Zërit të Amerikës. Disa orë më parë, agjencitë perëndimore të lajmeve raportuan se Sekretari i Shtetit Anthony Blinken kishte informuar Kongresin e SHBA për lëvizjen e ardhshme.
Më 10 gusht, SHBA dhe Irani konfirmuan se, sipas marrëveshjes së të burgosurve, Teherani do të lironte pesë shtetas amerikanë, për të cilët Uashingtoni tha se ishin ndaluar padrejtësisht.
“Siç kemi thënë më parë, SHBA-ja ka rënë dakord të lejojë transferimin e fondeve nga Koreja e Jugut në llogaritë e kufizuara në institucionet financiare në Katar dhe të lirojë pesë shtetas iranianë të ndaluar aktualisht në Shtetet e Bashkuara, për të lehtësuar lirimin e pesë shtetasve amerikanë të arrestuar në Irani”, i shkroi Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Misioni iranian në OKB në Nju Jork konfirmoi për Zërin e Amerikës emrat e pesë iranianëve që duhet të shkëmbehen. Emrat u publikuan për herë të parë nga faqja e lajmeve Al-Monitor të hënën.