Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë arritur një kornizë marrëveshjeje për tregti të ndërsjellë, të drejtë dhe të balancuar, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe zgjerimin e mundësive për eksportuesit e të dy vendeve. Marrëveshja synon të forcojë lidhjet tregtare, të mbështesë interesat strategjike të përbashkëta, të promovojë rritjen ekonomike dhe të thellojë partneritetin transatlantik, njofton Shtëpia e Bardhë.
Pikat kryesore të marrëveshjes përfshijnë:
– Maqedonia e Veriut do të eliminojë tarifat doganore për të gjitha produktet industriale dhe bujqësore të eksportuara nga SHBA-të.
– SHBA-të do të mbajnë tarifat reciproke në 15%, sipas urdhrit ekzekutiv 14257 të vitit 2005, dhe disa produkte të përzgjedhura nga Maqedonia e Veriut do të përfitojnë tarifë zero përqind. Pas përfundimit të marrëveshjes, mund të shqyrtohen modifikime të tjera të tarifave duke marrë parasysh bilancet tregtare dhe faktorë të tjerë.
– Të dy vendet do të adresojnë pengesat jo-doganore që ndikojnë në tregtinë dypalëshe, përfshirë ato në sektorin bujqësor.
– Do të forcohet bashkëpunimi ekonomik dhe i sigurisë kombëtare për të rritur reziliencën e zinxhirëve të furnizimit, inovacionin dhe për të luftuar shmangien e detyrimeve doganore.
– Marrëveshja do të inkurajojë lidhje tregtare më të forta, duke përfshirë sektorin e energjisë. Maqedonia e Veriut do të fillojë blerjet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-të pas përfundimit të një ndërkonektori të ri gazi me Greqinë.
– Maqedonia e Veriut do të ruajë standarde të larta për mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin efektiv të ligjeve përkatëse.
– Të dy vendet do të bashkëpunojnë për mbrojtjen e pronës intelektuale, çështjet e punësimit, tregtinë digjitale dhe tregtinë e shërbimeve, përfshirë mbështetjen për një moratorium të përhershëm mbi tarifat doganore për transmetimet elektronike në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Të dy vendet do të punojnë për finalizimin e marrëveshjes, përgatitjen e saj për nënshkrim dhe për kryerjen e formaliteteve të brendshme para se marrëveshja të hyjë në fuqi.
