SHÇBA ka ekzekutuar vendimin penal të dhënë nga Gjykata e Fierit për disa punonjës policie të zinxhirit komandues dhe përgjegjës të Komisariatit të Policisë Mallakastër.
Dyshohet se ata lejuan kultivimin e parcelave me kanabis.
Në njoftimin e bërë nga SHÇBA thuhet se janë vendosur në ‘arrest me burg’, shefi i seksionit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, nënkomisari pranë këtij komisariati, si dhe tre inspektorë.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për tre punonjës të tjerë të policisë.
SHÇBA njofton se pas hetimeve të kryera, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike, ngjarje për të cilën më herët janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.
Këta punonjës policie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor-shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Fierit për kultivim të bimëve narkotike.
Nga hetimi i këtij procedimi penal është bërë i mundur sigurimi i provave, pasi janë gjetur disa parcela në vende të ndryshme të hapura dhe të mbjella në njësinë administrative Poçem, Mallakastër.
