Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg bën me dije se 700 trupa shtesë të NATO do të dërgohen në Kosovë. Madje ai tha se edhe një pjesë tjetër do të jetë në gatishmëri, të cilët do të dërgohen nëse do të jetë e nevojshme.
Në një konferencë për mediat, Stoltenberg i ka bërë sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë të marrin hapa konkret për ulje të tensioneve.
“Ne do të vazhdojmë të veprojmë sipas mandatit që buron nga OKB-ja. Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu kemi vendosur në gatishmëri një batalion shtesë, që të zhvendoset nëse duhet. Këto janë hapa për të garantuar se KFOR-i ka forcën dhe aftësinë për të vepruar sipas mandatit që e ka.
Dhuna kthen Kosovën prapa e po ashtu të gjithë rajonin. I vendos në rrezik aspiratat euroatlantike. Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkret për t’i ulur tensionet. Të frenohen nga veprimet e papërgjegjshme e të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është rruga e vetme”, ka thënë Stoltenberg.