Agron Shehaj, në seancën e sotme parlamentare, bëri një denoncim drejt kryeministrit Edi Rama.
Deputeti i Partisë Demokratike akuzoi kreun e qeverisë se ka tentuar ta intimidojë duke dërguar punonjësit e policisë në biznesin e tij në Tiranë.
Shehaj bëri të qartë se jo vetëm që nuk do të heshtë, por do ta kërkojë të drejtën e tij deri në Strasburg.
Fjala e Agron Shehaj:
Jam menduar gjatë, nëse duhet të përdorja këtë sallë për të denoncuar një akt të pashembullt, në një shtet demokratik dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përdorimin e shtetit dhe policisë për të sulmuar një kundërshtar politik.
Por vendosa se po, sepse është pikërisht kjo sallë shkaku i sulmit. Gjithçka ka nisur nga këtu, nga denoncimet që unë kam bërë nga kjo foltore, për aferat e kësaj qeverie dhe ministrave të saj.
Këto foto tregojnë Policinë e Shtetit brenda ambienteve të biznesit tim.
Pa asnjë urdhër nga Prokuroria, pa asnjë urdhër nga gjykata, pa asnjë urdhër dhe shkresë nga askush.
Forcat e policisë kanë hyjnë brenda një ambienti privat dhe kanë nxjerrë jashtë punonjësit, duke i terrorizuar dhe pa asnjë mandat ligjor.
Ky është shteti policor i Edi Ramës që nëpërmjet dhunës dhe përdorimit politik të policisë, do të intimidojë dhe t’i mbyllë gojën deputetëve të Opozitës dhe kujtdo që tenton të ngrejë zërin.
Prej dy javësh biznesi mbahet i mbyllur me dhunë nga Policia dhe rreth 200 ekspertë IT nuk mund të shkojnë në zyrë.
Policia ka vendosur shiritin dhe nuk lejon asnjë të hyjë, dhe nuk ka dhënë asnjë shkresë apo arsye për bllokimin e biznesit dhe të ambienteve.
Përfaqësuesi i kompanisë ka bërë kërkesë në Polici për t’u njohur me aktin e bllokimit të biznesit por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Pasi nuk është marrë asnjë përgjigje nga Policia, i është bërë një kërkesë Prokurorisë për të marrë informacione rreth bllokimit të biznesit dhe kjo është përgjigja e Prokurorisë.
Në lidhje me kërkesën për informacion mbi sekuestron e ambienteve ku ushtrohet aktiviteti, Prokuroria thotë tekstualisht:
ne aktet e referuara në Prokurori nga policia nuk ndodhen akte proceduriale që lidhen me sekuestrimin e objektit, si dhe nuk janë nxjerrë akte të kësaj natyre proceduriale nga ana e organit të Prokurorisë”.
Me pak fjalë, Prokuroria thotë që nuk ka urdhëruar asnjë sekuestro dhe që në Prokurori nuk është referuar nga policia asnjë akt që lidhet me sekuestro.
Me një pretekst banal, ju mbyllni një biznes me qindra të rinj të punësuar, dhe kjo tregon qartë se ju nuk e keni idenë se çfare do te thote te besh biznes te ndershëm. Ju nuk e keni idenë se sa sakrifica dhe se çfarë përkushtimi i duhet nje biznesi per te mbijetuar ne treg dhe per tu zhvilluar.
Sepse ju biznes quani vetëm marrjen e parave publike permes tenderave qe shperndani tek familjarët dhe ortakët tuaj. Per ju biznes eshte e barabarte me afere. Ju quani biznesmene kushërinjtë dhe te afermit tuaj investitorë strategjikë, qe marrin prone publike dhe pastrojne parate e korrupsionit.
Ky është koncepti juaj i biznesit dhe nuk ka lidhje me biznesin e vërtetë. Biznesi i vërtetë bëhet me djersë dhe përkushtim.
Por në fakt, thelbi këtu nuk është mbyllja e nje biznesi të ndershëm, ky është një sulm i pastër politik.
Një hakmarrje e verbër e Edi Ramës ndaj denoncimeve për aferat e rënda korruptive që unë kam bërë nga kjo foltore dhe njëkohësisht edhe një presion për të më mbyllur gojën.
Por po ua them këtu publikisht.
Harrojeni se me këto sulme apo presione kriminale, mund të më detyroni që unë të hesht kur Edi Rama firmos dhe bën Olta Xhackën investitore strategjike.
Harrojeni se do të hesht kur kushërinjtë e Damian Gjiknurit marrin më firmën e Edi Ramës statusin e investitorit strategjik dhe u jepet leje për të ndërtuar në mes të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Nuk më intimidoni. Përkundrazi më motivoni më shumë të vazhdoj denoncimet për guackat tuaja offshore, koncesionet korruptive dhe grabitjet e pasurive publike me qeveritarët strategjikë.
Edi Rama, Xhaçka apo Gjiknuri duhet ta kenë të qartë.
Une nuk kam ndërmend të hesht, do vazhdoj të them atë që qytetarët e ndershëm duan, të vërtetën, dhe do jua them në sy, ashtu siç është.
Shpesh e kam pyetur veten pse duhet të merrem me ju. Kur zbulova kompaninë tuaj offshore në Delavare, edhe mund të heshtja, por vendosa të flas. Isha i bindur se kjo ishte gjëja e duhur. Sepse kam marrë besimin e njerëzve për të bërë detyrën time. Sepse besoj se kjo është një kauzë e drejtë, jam dhe dua të qendroj në anën e duhur, në anën e qytetarëve, kundër babëzisë së këtij pushteti thellësisht të korruptuar.
Nuk mund të pretendoni të pasuroheni duke vjedhur me emrin tuaj, me familjarë apo me kompani offshore dhe ne të gjithë të heshtim, të trembemi apo akoma më keq; të shitemi.
Sepse une nuk ndërtoj, nuk marr leje ndërtimi, nuk paguhem me tendera apo koncesione dhe nuk bëj asnjë biznes me qeverine tuaj apo me oligarkët e tu.
Madje bizneset e mia nuk punojnë fare për tregun shqiptar, por ofrojnë shërbime për tregjet e huaja.
Nxjerrja e punonjësve jashtë me polici dhe dhunimi i paligjshëm i ambienteve ishte e vetmja gjë që Edi Rama mund të bënte ndaj meje, dhe atë bëri.
Nuk pres dhe nuk ju kërkoj të tërhiqeni, nuk bëj pazare me ju, unë të drejtën do ta kërkoj në Prokurori, në SPAK, në Gjykatë, në Shqipëri ose në Strasburg.
Ju garantoj se do i shkoj deri në fund. Por për një gjë të jeni të sigurt, unë nuk tërhiqem. Sepse nuk kam asgjë për të fshehur, sepse nuk jam në shitje, sepse them thjeshtë të vërtetën, sepse këtë duan shqiptarët. Unë nuk hesht. Këtu më keni.