Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë të ditur se është takuar në Nju Jork me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe atë maqedonas Zoran Zaev në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas të përditshmes serbe “Kurir”, Vuçiç ka thënë se më 9 dhe 10 tetor do të organizohet një konferencë rajonale në Novi Sad e sipas tij duhet të nisë ideja e bashkëpunimit rajonal për të shkuar në BE si një bllok i përbashkët.
“Unë i pres më 9 dhe 10 tetor në Novi Sad, sepse mendoj se është e rëndësishme që ne filluam idenë e bashkëpunimit rajonal. Ne duam të lidhemi ekonomikisht dhe kështu të dalim para BE dhe të tjerëve si një bllok i përbashkët”, ka thënë Vuçiç.
Mediat serbe flasin për një “Shengen të vogël” mes tre shteteve, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por pa u përfshirë Kosova. E referuar kësaj të fundit, Vuçiç është shprehur se “do të ishte e rëndësishme që Serbia të përfshijë Prishtinën në një bashkëpunim të tillë”.
