Sot në qytetet Burrel e Bulqizë janë mbajtur mbledhjet e këshillave bashkiak. Ato janë shoqëruar me debate të forta dhe probleme serioze.
Këshilltarët e Burrelit janë përballur me reagimin e banorëve të Macukullit të cilët kanë kërkuar shpërblimin e dëmeve të tërmetit, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e Policisë Bashkiake për të nxjerrë nga mbledhje banorët dhe për të qetësuar situatën e pazakontë. Gjatë është debatuar edhe në lidhje me dhënien me qera, për 10 vjet, të godinës së Teatrit të Kukullave një fondacioni që operon në qytetin e Burrelit.
Më kritike ka qenë situata në këshillin bashkiak të Bulqizës. Banorët e fshatrave të Fushë Bulqizës kanë hyrë gati forcërisht në këshill dhe kanë kërkuar të mos jepet leje për ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë. Këshilltarët që morën fjalën u shprehën se janë në anën e qytetarëve, ndërkohë që mbledhja u mbyll pa marrë një vendim.