Ish-sekretari i Metës, Ralf Gjoni gjatë mesditës së sotme deklaroi se “nuk po futej në Kuvend për një pagë të qelbur deputeti”, por se e thërriste interesi i vendit dhe detyra ndaj qytetarëve.
Një deputet i Republikës së Shqipërisë trajtohet me pagë, por edhe dieta për telefonin, karburantin, pjesëmarrjet në komisione parlamentare, madhe edhe me qiranë e shtëpisë kur nuk është nga Tirana.
Një deputet merr një pagë bruto 156 770 lekë. Nga këto, secili deputet fut neto në xhep rreth 118 000 lekë pasi janë zbritur sigurimet dhe tatimi mbi të ardhurat.
Krahas kësaj, deputetët marrin 35 000-40 000 lekë në muaj subvencione për karburant në varësi të qarkut ku janë zgjedhur. Po ashtu, secili prej tyre merr çdo muaj 17 000 lekë subvencion për telefonin.
Secilit deputet që nuk është nga Tirana i paguhet edhe një qira mujore prej 35 000 lekësh të reja, ndërsa nuk mungojnë dietat e ndryshme që fillojnë nga 35 000 dhe arrijnë maksimumi 150 000 lekë në muaj. Deputetëve gjithashtu iu subvencionohen kostot e hotelit kur iu duhet që të flenë larg shtëpisë.
Pavarësisht se paguhen për të dhënë kontributin e tyre, deputetët marrin edhe 2 000 lekë dietë për çdo pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Krerët e grupeve parlamentare dhe të komisioneve kanë pagesa të tjera ekstra.
Nga një vështrim i listës së pagave dhe përfitimeve të deputetëve për dhjetorin e vitit të shkuar, rezulton se ka deputetë që kanë përfituar një total (rrogë plus dieta) prej 500 000 deri 600 000 lekësh të reja.
Ndërkohë, mesatarisht secili prej tyre përfiton të ardhura totale nga 350 000 deri në 400 000 lekë të reja.
Sa për të treguar se sa i kushtojnë shqiptarëve deputetët, vlen të theksohet fakti se vetëm për dietat e periudhës nëntor-dhjetor 2018 janë paguar 25.5 milion lekë të reja ose rreth 200 mijë euro.