Është shtyrë Samiti i Zagrebit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i planifikuar të mbahej më 7 maj për shkak të pandemisë.
Kryesia kroate e Këshillit të Bashkimit Europian njoftoi dje se po shtyn të gjitha takimet joformale të Presidencës kroate të planifikuara të zhvillohen në Kroaci deri më 15 maj.
Për Samitin e Zagrebit do të vendoset një datë e re në qershor në marrëveshje me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, nëse situata me Covid-19 e lejon.
Në njoftim thuhet se nëse nuk mundet as në data e mëtutjeshme atëherë do të sugjerohet zhvillimi i takimit me video-lidhje para përfundimit të presidencës kroate të BE-së, më 30 qershor.
Samiti i Ballkanit Perëndimor në Zagreb është planifikuar si një nga ngjarjet kryesore të Presidencës kroate, me qëllim mbledhjen e liderëve të BE-së dhe rajonit për herë të parë që nga Samiti i Sofjes në maj 2018.
Gjermania do të jetë shteti tjetër anëtar i BE-së që do të marrë përsipër Presidencën e Këshillit, në korrik.
